I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi të martën në Prishtinë takimet me udhëheqësit e Kosovës, në kuadër të vizitës së tij të përbashkët me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Zoti Escobar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë mbrëmjes pritet të takohet me udhëheqësit e partive politike në opozitë ndërsa të mërkurën është paraparë që të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Dy të dërguarit pas Prishtinës do të qëndrojnë edhe në Beograd në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Vizita pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku nuk u shënua ndonjë përparim por me pajtimin që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën në një bisedë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar siç tha ai nga “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, njoftoi zyra e presidentit serb.
Sipas njoftimit, presidenti serb i tha ambasadorit Hill se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat e posaçme të Kosovës të mund të lëvizin në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët