Ambasada e SHBA-së në Ukrainë iu ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që të largohen nga vendi, pasi thotë se ka informacione për sulme në infrastrukturë dhe objekte qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim. Ambasada u kërkoi qytetarëve që nëse e kanë të mundur, të përdorin mjete të transportit privat gjatë largimit.
“Departamenti i Shtetit ka informacione se Rusia po shton përpjekjet për të nisur sulme kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim. Sulmet ruse në Ukrainë përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për civilët dhe infrastrukturën civile. Ambasada e SHBA-së u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina menjëherë, duke përdorur opsionet private të transportit tokësor, nëse është e sigurt për ta bërë këtë”, tha ambasada.
Kjo thirrje vjen pas deklaratave të SHBA-së dhe Ukrainës se Rusia po përgatit sulme shumë agresive në Ditën e Pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik i Ukrainës, më 24 gusht.