Basketbollistja e njohur amerikane, Brittney Griner u rikthye të martën në gjykatën ruse mes përpjekjeve diplomatike të SHBA-së për të siguruar lirimin e saj.
Griner akuzohet për posedim të kanabisit. Gjatë seancës, prokurorët thirrën një ekspert shtetëror të narkotikëve, i cili analizoi kanabisin e gjetur në bagazhin e Grinerit. Mbrojtja e saj paraqiti një specialist i cili kundërshtoi analizën.
Griner u arrestua në shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. Sipas policisë ajo po transportonte cigare elektrike me vaj kanabisi. Basketbollistja e “Phoenix Mercury” dhe fituese e dyfishtë e medaljes së artë olimpike rrezikon deri në 10 vjet burg nëse dënohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Ndërsa gjyqi i saj vazhdon, administrata e Biden-it është përballur me presionin në rritje nga publiku për ta liruar atë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe i kërkoi Moskës të pranonte ofertën e SHBA-së për lirimin e dy të burgosurve.
Blinken ka thënë të mërkurën se Uashingtoni i ka ofruar Rusisë një marrëveshje që parasheh kthimin në SHBA të basketbollistes amerikane, Brittney Griner, dhe amerikanit tjetër të burgosur, Paul Whelan.
Kjo ishte biseda e parë e Blinkenit me Lavrovit që para pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.
Sekretarja për media në Shtëpinë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të hënën se Rusia ka bërë një kundër-ofertë që zyrtarët amerikanë nuk e konsiderojnë si serioze, por nuk dha më shumë detaje.
Basketbollistja amerikane u deklarua fajtore për trafik dhe kontrabandë narkotikësh në seancën e 7 korrikut të zhvilluar në Moskë.
Ajo u deklarua fajtore, duke i thënë gjykatësit se “nuk kishte asnjë qëllim” për të shkelur ligjin.
Rasti i Griner ka tërhequr vëmendjen e publikut teksa për çështjen e saj janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët thonë se ajo është arrestuar padrejtësisht.