Shtetet e Bashkuara deklaruan se kanë kryer sulme ajrore në Sirinë lindore, duke synuar objektet e infrastrukturës të përdorura nga grupet e lidhura me Korpusin elitar të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC).
Në një deklaratë të mërkurën, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se sulmet u urdhëruan nga Presidenti Joe Biden. Qeveria e Sirisë, nga ana tjetër, nuk ka bërë ende një koment zyrtar.
Komanda Qendrore tha se sulmet “u bënë në mënyrë proporcionale dhe të qëllimshme, me synim që të kufizonin rrezikun e përshkallëzimit dhe të minimizonin rrezikun e viktimave”.
Komanda nuk identifikoi objektivat dhe nuk dha ndonjë shifër viktimash nga sulmet.
“Sulmet e sotme ishin të nevojshme për të mbrojtur personelin amerikan”, tha në deklaratë zëdhënësi i Komandës Qendrore, koloneli Joe Buccino.
Koloneli shtoi se sulmi u bë si kundërpërgjigje ndaj një sulmi iranian më 15 gusht që synonte forcat amerikane.
Disa dronë që pretendohet se u nisën nga milicitë e mbështetura nga Irani, shënjestruan Garnizonin al-Tanf të përdorur nga forcat amerikane. Komanda Qendrore tha se nga sulmi kishte “zero viktima dhe asnjë dëm”.
Deir Az Zor është një provincë strategjike që kufizohet me Irakun dhe ka nafte. Grupet e milicisë të mbështetura nga Irani dhe forcat siriane kontrollojnë zonën, dhe shpesh kanë qenë objektiv i avionëve luftarakë izraelitë në sulmet e mëparshme.
Forcat amerikane hynë në Siri në vitin 2015, duke mbështetur forcat aleate në luftën e tyre kundër grupit ISIL (ISIS).