Uotfordi ka barazuar mbrëmjen e djeshme me rezultatin 1-1 ndaj Birmingamit, e vlefshme për javën e 4-të në Championship.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj u aktivizua për 36 minuta në këtë takim ku ishte dhe protagonist te goli i barazimit.

Në minutën e 63′ pas një goditje nga distanca e Sema, Manaj ishte në zonë dhe sulmuesi lushnjar pretendon që e ka prekur ai topin dhe klubi i Uotfordit dhe vetë Manaj deklaron se goli duhet akorduar për të.

Në një postim të profilit të tij në rrjetin social “Instagram” vetë Rei Manaj ka shkruar se është i lumtur për golin e parë me fanellën e Uotfordit dhe se vëmendja totale shkon për ndeshjen e së shtunës në transfertë ndaj Prestonit:

“Një ndjenjë e pabesueshme për golin tim të parë me këtë skuadër. Të vazhdojmë të punojmë kështu dhe të përqendruar për sfidën e së shtunës”, shkroi Rei Manaj, i cili aktualisht me Uotfordin në Championship është aktivizuar në tre ndeshje dhe duke shënuar një gol.