Duket se edhe shkencëtarët e njohur kanë sensin e humorit, por tentativa e një fizikanti francez për një shaka pa kripë nuk shkoi dhe aq mirë, pasi donte të bënte publikun të besonte se një copë sallami ishte një yll i ri i largët. Javën e shkuar fizikanti i njohur francez Étienne Klein, publikoi foton e asaj që pretendonte se ishte konstelacioni ‘Proxima Centauri’, i fotografuar nga teleskopi i ri i Nasas, James Webb
Ai shkruante: “Foto e Proxima Centauri, ylli më i afert me diellin, 4.2 vite dritë larg. Me nivel të tillë detajesh, një botë e re zbulohet dita-ditës”.
Po shakaja e papërgjegjshme iu kthye në bumerang pasi u kuptua se foto ishte në fakt një fetë e prerë sallami, dhe jo një yll i largët i universit.
Klein u detyrua më pas të kërkonte ndjesë madje duke thënë me shaka se “copa sallami spanjoll ekzistojnë vetëm në tokë”.
64-vjeçari justifikohej më vonë se shakaja e tij bëhej “për të mbajtur shikuesit vigjilentë ndaj lajmeve të rreme”.
Zhvillimi vjen në një kohë kur shumë përdorues të rrjetit hedhin dyshime mbi zbulimet e pretenduara të shkencës apo masën e madhe të informacioneve të montuara e inskenuara në rrjet, që i shërbejnë qëllimeve të tjera e jo atyre të informimit.
Studiuesi shkruante më tej: “Mësoni të jini vigjilentë ndaj argumenteve të çdo autoriteti, siç mund të jetë dhe ‘elokuenca spontane e disa imazheve të caktuara”.
Në fakt studiuesit pretendojnë se nga teleskopi i ri James Webb janë zbuluar pjesë të universit që datojnë prej 13 miliardë vjet më parë.