Anita Likmeta është kandidatja e parë shqiptare që konkurron për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen me 25 shtator.
Likmeta është ndër kandidatet kryesore, në 3 rajone të italisë: Lombardi, Marke dhe Lazio.
Në një intervistë për Euronews Albania ajo tregoi vështirësitë me të cilat i ishte dashur të përballej në emigrim, ku ishte larguar shumë e vogël, ndërsa theksoi se këmbëngulja dhe puna e vazhdueshme i kanë sjellë sukses.
“Unë jam individ politik, pasi jeta e të gjithë emigrantëve jashtë kufijve është politike. Kur u largova nga Shqipëria isha fëmijë, në vitin ’97. Gjithë jeta e emigrantëve jashtë kufijve është e vështirë, por kur këmbëngul dhe nuk ke zgjedhje të tjera, mësohesh duke mbijetuar ja del”, tha Likmeta.
Likmeta tha se komuniteti shqiptar e meriton të përfaqësohet në qeverinë italiane, duke qenë komunitet i dytë më i madh në vend dhe me një kontribut 31-vjeçar në këtë shtet.
“E imja është një kandidaturë shërbimi pasi besoj se komuniteti shqiptar pas 31 vitesh meriton të ketë një zë në qeverinë italiane, pasi në Itali nuk ka komunitete të përfaqësuara në qeveri. Komuniteti shqiptar paguan taksat, ka rëndësi në këtë shtet”, tha Likmeta.