Nga Ylli Pata/
I vetmi nga “oborri politik” i Partisë Demokratike që ka tentuar të bëjë një horoskop për vjeshtën brenda opozitës ka qenë Ervin Saljanji.
Deputeti i PD-së, pak muaj më parë ka deklaruar në një intervistë për Mirela Milorin, se në shtator do të ketë dy Parti Demokratike, ku njëra do të ndrejtohet nga Sali Berisha, e tjetra nga Lulzim Basha, i cili do të kthehet pas një pushimi të gjatë. Sipas Saljanjit, në zgjedhjet vendore të 2023-shit, këto dy parti do të garojnë përballë njëra-tjetrës.
Por përveç deputetit të PD-së që sot nuk është rreshtuar as me Alibeajn, e as me Berishën, asnjë tjetër nuk tentoi të vendosë bast apo të provojë aftësinë e gjetjes së parashikimit të yjeve për pjesën e politikës shqiptare, që normalisht do të garojë për të qenë një alternativë pushteti ndaj socialistëve të Edi Ramës.
Saljanji, ndoshta nuk mund të qëllojë plotësisht në parashikimin e tij, por një pjesë, ai e ka siguruar që sot bastin e fituar.
Pasi në shtator ka një deadline fatal dhe shumë të rëndësishëm për Sali Berishën. Në këtë muaj, në Parlament bëhet rikompozimi i grupeve parlamentare, në përbërje dhe në organizimin e tyre.
Sali Berisha, vjet në vigjilje të nisjes së sezonit të ri parlamentar u përjashtua nga Lulzim Basha si deputet i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Që të bëhet edhe njëherë anëtar i grupit parlamentar të PD-së, Sali Berisha, duhet të sigurojë kredencialet legale të Partisë Demokratike për ta propozuar sipas rregullave në sekretarinë e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
Pra i duhet një vendim politik i kryesisë apo i Këshillit Kombëtar të PD-së, por natyrisht as të Këshillit Kombëtar që ka ngritur në partinë e tij pas 6 marsit apo kryesinë që drejton vetë.
I duhet një vendim politik të partisë që njihet ligjërisht si Partia Demokratike. Që të ndodhë kjo, do të duhet të shprehet Gjykata e Apelit, e cila nuk dihet se pse po e vonon vendimin e saj për të ndarë shapin nga sheqeri, duke mbajtur peng zhvillimet brenda PD-së. Aktualisht, vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri, ka njohur foltoren si PD, por siç dihet kryesia e PD-së që komandohet nga Enkelejd Alibeaj e ka kundërshtuar vendimin në Apel.
Berisha, siç u shpreh edhe vetë para pak ditësh, e ka ndarë mendjen që nuk do të lejojë që të presë zhvillimet por do të shkarkojë Alibeajn si kryetar grupi të PD-së, e do të emërojë Luçiano Boçin si të tillë. Që ta legalizojë vendimin e tij pranë kryesisë së Kuvendit, i duhet verdikti i Apelit, por politikisht këtë mund ta bëjë me një vendim të shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike në Parlament. Grupi aktual i Partisë Demokratike ka 44 deputetë, e në të bëjnë pjesë edhe ata që janë atashuar në foltoren partiake të Sali Berishës. Në shtator, nuk ka sesi të dy palët të rrijnë në statusquonë aktuale parlamentare, e cila e ka vendosur Sali Berishën në fund të sallës, pas një referencë politike, gjë që ndikon edhe në procedurat e marrjes së fjalës, apo propozimit të akteve në Kuvnd.
Për të vendosur zyrtarisht Boçin në vend të Alibeajt, Berishës do t’i duhet të marrë legalisht PD-në nga Apeli, por politikisht ai mund ta bëjë këtë veprim me shumicën e deputetëve të PD-së.
Pra që shumica e 44 anëtarëve të grupit parlamentar të PD-së të votojnë për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt, dhe të kërkojnë që Luçiano Boçi të jetë kryetari i tyre. Këtë akt politik, Berisha do ta kishte bërë nëse do ta kishte me vete grupin parlamentar, por siç dihet të paktën 35 deputetë nuk kanë pranuar të jenë pjesë e partisë së tij, në të cilën përveç tij dhe Flamur Nokës, nuk se ka më struktura apo individualitete.
Ndërkaq, nëse do të vërtetohej “horoskopi” i Ervin Saljanjit, sipas të cilit Lulzim Basha do të kthehej aktivisht në politikën e PD-së, gjërat do të merrnin një kahje tjetër.
Basha, dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, si pasojë e presionit të një grupi deputetësh të drejtuar nga Grida Duma, por edhe me motivacionin se ai “po bënte një hap pas për t’i shërbyer bashkimit të PD-së. Tani që bashkimi nuk ndodhi, sipas të gjitha gjasave do të konturohen edhe institucionalisht palët brenda opozitës shqiptare. Degët e PD-së që në shumicë nuk i janë bashkuar Berishës, kryesia, grupi parlamentar do të pësonin një ridalje në skenë, që sipas gjasave do të sjellë një qartësi të domosdoshme politike brenda opozitës.
Po a mund të rikthehet Lulzim Basha? Argumenti politik për këtë akt është mëse i plotësuar, pasi bashkimi i PD-së nuk ndodhi si pasojë e për shkak të egos së Sali Berishës për të marrë ai dhe njerëzit e tij të gjithë pushtetin politik brenda opozitës.
Nga ana tjetër, pas 6 marsit, ndodhi një “puç prej pambuku” i ideuar nga Grida Duma, e cila priste që ajo të merrte drejtimin e komisionit që do të drejtonte apo organizonte bashkimin e PD-së. Siç dihet, Sali Berisha, nuk ja dha këtë mundësinë asnjërit, madje edhe Belind Këlliçin që e vuri si kryetar të Komisionit të Rithemelimit nuk e njohu më, por vuri veten në drejtimin e të gjithë punëve në partinë e tij. Madje, edhe duke stisur një përplasje jot ë vogël brenda grupit të tij ndërmjet Forumit Rinor të Këlliçit dhe Evi Kokalarit.
Degët e PD-së që i rezistuan sulmit të Berishës si më 8 janar, por edhe pas 6 marsit, kun ë krye qëndron ajo e Shkodrës, janë gati të nisin një aktivitet politik që është krejt i distancuar nga ish-presidenti e ish-kryeministri i shpallur Non Grata nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Madje këto degë, janë shprehur të pakënaqur nga Basha, i cili zhvilloi disa takime pas largimit të tij, duke i këshilluar që të rrinin në qetësi për të mos i shërbyer sherrit brenda opozitës. Gjithsesi, kjo pjesë e PD-së nuk ka mundësi të ringrihet politikisht pa u shprehur për dy çështjet nevralgjike të politikës shqiptare që nga 19 maji i vitit të shkuar: çfarë do të bëjnë me të ndëshkuarin nga SHBA e Britania e Madhe, e si dotë sillen politikisht me padinë ndaj Ilir Metës.
Në vija të trasha ka një qëndrim, pasi ky grupim është i distancuar si nga Berisha, ashtu edhe nga Meta, porn ë shtator, i duhet të rreshtohen e të prononcohen politikisht në ç’pjesë janë dhe ku duan të shkojnë….
TemA