‘Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se të dyshuarit kanë ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara.”
Kjo është një nga gjetjet e prokurorisë së Elbasanit mbi të cilën do kërkojë arrest me burg në orën 11 në gjykatën e Elbasanit për shtetasit Mikhail Zorin, lindur në Moskë e banues në Çeki, aktualisht student për kime në Pragë, Fedit Alpatov lindur dhe banues në Kiev dhe Svetlana Timofeeva me dy adresa banimi, njëra në Moskë dhe tjetra në Tbilisi.
Sipas dosjes hetimore të disponuar nga Top Channel në datën 23 gusht, prokuroria e Elbasanit me prokuror të hetimit Kreshnik Ajazin ka urdhëruar ruajtjen e sekretit dhe të akteve paraprake që u përkasin deklarimeve të shtetasve të huaj, të dyshuar se janë spiunë dhe se po kryenin veprimtari spiunazhi në Shqipëri.
Burime të Anila Hoxhës theksuan se përpos mjaft provave me interes për hetimin dhe faktit që njëri prej tyre ka folur dhe ka treguar rekrutimin dhe misionin konsiderohet e sekuestruar edhe një pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën (nightvision), por edhe sasi të konsiderueshme parash si dhe 1 copë fishek model 56, kalibër 7.62 , dhe 1 predhë fisheku kalibër 12.7 mm.
Prokuroria thotë se mes provave të bllokuara nga njësia e antiterrorit janë edhe dy dronët, një bombul e përdorur në formë spraji neoroparalizues, pajisje kampingu etj. “Është urdhëruar kyqrja e kamerave të sigurisë, në pikat e kalimit kufitar prej nga kanë hyrë këta shtetas dhe këto pamje konsiderohen gjithashtu provë materiale.
Prokuroria e Elbasanit referon në kërkesën për masën e sigurimit personal edhe dëshmitë e ushtarëve dhe të disa banorëve si shtetasja Fatmira Shehi e cila e pyetur nga antiterrori deklaron se: vërejta pranë shtëpisë sime rreth orës 17 të asaj dite një mjet të parkuar , ngjyrë portokalli Këtë mjet nuk e kisha patë më parë thotë gruaja nga fshati Cekin. në afërsi të mureve të Uzinës pashë një person me kapele , me pantallona të shkurtra dhe me një çantë në krahë duke u ngjitur në drejtim të vreshtave, të cilat janë ngjitur me murin e uzinës – thotë dëshmitarja për autoritetet.
Por përpos dëshmisë së njërit prej tyre që pranon rekrutimin dhe angazhimin e te treve me mision në Shqipëri prokuroria këmbëngul se nga këqyrja paraprake e pajisjeve elektronike të tyre kanë rezultuar të dhëna me interes për hetimin që lidhen me fotografimin e objekteve të ndryshme ushtarake dhe objekteve të infrastrukturës kritike civile në gjendjen aktuale, theksojnë burimet pranë grupit të hetimit , ku midis tyre janë fotografuar ujëmbledhës.
Ushtari Ardian Xhaka me detyrë ushtar profesionis dhe roje i lëvizshëm thotë se rreth orës orës 17.25 në afërsi të objektit ushtrak godina numër tetë dëgjoi zhurmë.
“Ishte një person që po afrohej tek dera e hyrjes kryesore i cili tentoi që ta hapë atë dhe të futej brenda. I bëra thirrje të ndalojë, por ai është larguar me vrap duke kaluar rrethimin . U vura në ndjekje të tij dhe njoftova edhe përgjegjësin e rojeve ushtarake. të dy së bashku më një distancë rreth 200 metra nga muri bëmë të mundur neutralizimin e këtij shtetasi. Në momentin që ju afruam ai kundërshtoi dhe na sulmoi me një spraj kimik , të cilin e nxorri nga xhepi duke na i hedhur në fytyrë dhe në trup. Pavarësisht sulmit ne bëmë të mundur ndalimin e këtij shtetasi deri në momentin që u shoqërua në komisariatin e policisë Gramsh” mbyll deklaratën para antiterrorit ushtari i parë.
I dyti, Aldo Bici me detyrë përgjegjës i shërbimit t rojeve në Uzinën Mekanike Ushtarake Gramsh thotë se i panjohuri hyri në ambjentete brendshme me qëllim futjen në magazinat e uzinës mekanike.
“Ndërhyra për ti ardhur në ndihmë ushtarit dhe në momentin që e kapëm për krahu ai reagoi duke na hedhur spraj ngado në fytyrë dhe në trup. Ndjeva djegie sysh dhe trupi dhe marrje mendjeje, djegie të gjoksit dhe supeve ” thotë Bici.
Prokuroria thotë se në momentin e parë dy ushtarët fillimisht u dërgua në urgjencën e spitalit Gramsh dhe rrobat e tyre u morën si provë për tju dorëzuar antiterrorit nga i afërmi i njërit prej ushtarëve , i cili është avokat.