Ndonëse gjendja civile ka konfirmuar se ish presidenti Ilir Meta nuk e ka ndryshuar emrin, në këtë pikë SPAK kërkon të sigurohet nga të gjitha institucionet që disponojnë të dhëna.
Burimet shumë të sigurta i thanë TCH se dy prokurorë të SPAK i kanë dërguar një shkresë Ministrisë së Jashtme në të cilën i kërkojnë informacion mbi të gjitha pasaportat diplomatike ndër vite të marra nga ish presidenti gjatë karrierës së tij politike.
Kjo çështje po hetohet për korrupsion pasiv dhe mos deklarim bazuar në denoncimin e ish deputetit Halit Valteri , që nga një artikull i një mediaje austriake kopsiti një dosje ndaj ish presidentit dhe tre personave të tjerë.
Kallëzimi bën fjalë për lobimin e LSI përmes një kompanie qipriote me një vlerë prej 700 mijë dollarë. Por ndërkohë SPAK deklaron në datën 25 korrik se ka regjistruar edhe një procedim të dytë për ish presidentin Ilir Meta bazuar mbi denoncimin e gazetarit Adriatik Doçi.
Çështja është regjistruar për tre vepra 248, 259 dhe 287 që janë shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
SPAK thotë jo zyrtarisht për TCH se do përsërisë veprime të tjera hetimore financiare për pasqyrat financiare të kësaj partie dhe kontratat e shitjeve por edhe duke marrë ekstraktet pranë QKB. SPAK thekson se të dyja çështjet po hetohen të ndara nga njëra tjetra.
Në fashikullin e dytë denoncuesi Doçi përmend jo vetëm Metën por edhe bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, kunatin Drini Kryemadhi dhe vjehrrin e këtij të fundit Nuri Peti.
Nga të dhënat thuhet se teksa në 15 shtator 2013 drejtimin e Ministrisë së Transporteve e merr LSI , dy muaj më vonë Drini Kryemadhi , punësohet pranë një kompanie koncensionare që kishte monopolin e kolaudimit të makinave në Shqipëri. Ai paguhet me 4 mijë dollarë në muaj.
Teksa nga vitet 2015 deri në 2016 ai kaloi rreth 13 mijë dollarë në llogaritë e LSI , ai blen aksionet e një kompanie tjetër që bashkëvepron me kompaninë koncensionare, nga e cila largohet duke ia dhuruar aksionet vjehrrit të tij.
Top Channel