Pasi Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK) ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta, pas kallëzimit të depozituar nga ish-deputeti Halit Valteri, vjen një reagim nga ky i fundit.
Ish-deputeti në një prononcim për agjencinë e lajmeve ‘BalkanWeb’ deklaroi se ka besim se drejtësia do të triumfojë dhe se pret nga SPAK të kryejë hetimet.
“Ta lëmë SPAK të kryejë hetime mbi kallëzimin e bërë. Kam shumë besim që drejtësia do triumfojë”, tha Halit Valteri.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes një shkrese i kërkoi informacione zyrtare KQZ-së për formularin e dekriminalizimit për Metën. Hetimi po bëhet në funksion të procedimit penal nr.122 të vitit 2022, të bërë nga ish-deputeti Valteri. Kujtojmë se Meta ka dorëzuar forumlarin e dekriminalizimit në vitin 2013, kohë edhe kur ka kandiduar për deputet.
KALLËZIMI NË SPAK
Ish-deputeti Halit Valteri më 07.06.2022 depozitoi një kallëzim në drejtim të Metës dhe drejtuesve të LSI-së.
Gazetarja KLodiana Lala raportoi në një lidhje live për Neës24 se Valteri ka ngritur dyshime të forta për financim të paligjshëm të Partisë së Lirisë. “Mbi bazën e këtij kallëzimi SPAK kërkon të dhëna për pasurinë nga formulari i vetëdeklarimit, parë dhe në një kontekst të ri, ku pas lënies së detyrës si President i Republikës Autoriteti i Dosjeve nxori të dhëna që i referoheshin si ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
U kërkua formulari i dekriminalizimit nëse është plotësuar sipas ligjit. Nëse do të rezultojnë të dhëna të paligjshme, SPAK do të evoluojë me hetimin e kësaj çështje. Kallëzimi është bërë nga z. Halit Valteri. Prokuroria e Posaçme i referohet ligjit 138 të vitit të 2015. Meta e ka kundërshtuar faktin e bërë publik nga Autoriteti i Dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit. Në thelb z.Valteri fliste për transaksione të paligjshme. Ka dhe dy emra të tjera që lidhen me këtë kallëzim.”, tha Lala.