Detaje të reja kanë dalë nga sulmi në Uzinën e Gramshit, që ndodhi dy ditë më parë.
Prokurorët kanë dyshime se 2 shtetasit rusë dhe ai ukrainas janë spiunë dhe kanë përdorur telegramin për komunikim.
Pritet ekzaminimi i aparateve celulare që u janë gjetur 3 të huajve. Deri më tani hetuesit dyshojnë se të huajt janë pjesë e agjencive të huaja sekrete dhe se paraqitja e tyre si turistë eksplorues ishte kamuflim.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.