Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të mërkurën se forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë, ndërsa u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të parandalojnë përshkallëzimin e tensioneve.
Zoti Stoltenberg priti sot në Bruksel në takime të ndara presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, një ditë para së të dy udhëheqësit të takohen në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
“Përderisa situata në terren është përmirësuar, është përgjegjësi e të gjitha palëve, posaçërisht zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina të parandalojnë përshkallëzimin e sërishëm. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shmangin dhunën. NATO vazhdon të mbikëqyrë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i përqendruar në mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara. Nëse qëndrueshmëria rrezikohet, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë”, tha sekretari Stoltenberg. Ai tha se trupat e udhëhequra nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre në veri.
Zoti Stoltenerg tha se dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për të zgjidhur dallimet në rajon dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë platforma për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
“Mirëpres raundin e ri të bisedimeve që pritet të ndodhë nesër, inkurajoj të gjitha palët të angazhohen me mirëbesim, të tregohen fleksibël dhe konstruktiv”, tha ai pas takimit me presidentin serb, i cili i cilësoi si të vështira bisedimet e nesërme, meqë sic u shpreh “nuk pajtohemi pothuajse për asgjë”.
Ai tha se Serbia do të vazhdojë të respektojë mandatin e KFOR-it në Kosovë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sipas normave të Kombeve të Bashkuara dhe “besoj që gjithmonë do të jemi në gjendje të kuptohemi për dëshirën e vet zotit Stoltenberg dhe tërë NATO-s dhe KFOR-it që të vendosim paqe dhe qëndrueshmëri. Kam thënë se paqja dhe qëndrueshmëria janë të rëndësisë thelbësore për Serbinë, nuk më pëlqen t’i vë faj askujt dhe as të përdorë këto rrëfime fëmijërore”, tha ai.
Gjatë ditëve të fundit ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore kanë zhvilluar takime me udhëheqësit e Kosovës dhe përfaqësuesit e komunitetit serb për të diskutuar shmangien e tensioneve si ato të 31 korrikut dhe rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./voa