Studimet më të fundit po provojnë faktin se midis sozive mund të mos ketë vetëm ngjashmëri fizike, por edhe të gjenden shumë të përbashkëta në ADN-në e tyre.

Charlie Chasen dhe Michael Malone u takuan në Atlanta në vitin 1997, kohë kur Malone ishte këngëtar i ftuar në grupin e Chasen. Ata shpejt u bënë miq, dhe kushdo komentonte ngjashmërinë e tyre të frikshme fizike, aq sa shpesh i mendonin si vëllezër binjakë.
Ata janë jashtëzakonisht të ngjashëm, por janë thjesht sozi dhe nuk kanë lidhje gjaku mes tyre. Paraardhësit e Chasen janë nga Lituania dhe Skocia, ndërsa prindërit e Malone nga Republika Domenikane dhe Bahamasi.
Kohët e fundit, të dy miqtë u bënë pjesë e një projekti dhe studimi nga Instituti Kërkimor i Leukemisë “Josep Carreras” në Barcelonë. Një nga studiuesit, dr. Manel Esteller kishte analizuar më parë dallimet fizike midis binjakëve identikë, por donte të ekzaminonte edhe të kundërtën: njerëzit që duken njësoj, por nuk janë të afërt.
Në një studim të botuar në revistën “Cell Reports”, dr. Esteller dhe ekipi i tij rekrutuan një grup njerëzish të ngjashëm për të kryer teste ADN-je dhe pyetësorë rreth stilit të jetesës. Nga 32 çifte, 16 prej tyre u panë se kishin ngjashmëri, si në pamjen fizike ashtu edhe në ADN.
“Këta njerëz duken njësoj sepse ndajnë pjesë të rëndësishme të gjenomit, ose sekuencës së ADN-së. Fakti që njerëzit që ngjajnë shumë, kanë gjene të përbashkëta bën sens, por nuk ishte provuar kurrë.”