Një ditë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan, Kina nisi stërvitjen e paprecedentë ushtarake me të shtëna të vërteta në gjashtë zona që rrethojnë ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron si territor kinez.
Televizioni shtetëror kinez tha se stërvitja pritet të përfundojë në orët e para të së dielës. Ato do të përfshijnë gjuajtje të drejtpërdrejtë në ujëra dhe në hapësirën ajrore përreth Tajvanit, njoftoi transmetuesi shtetëror kinez.
Zyrtarët në Tajvan thanë se stërvitjet shkelin rregullat e Kombeve të Bashkuara, pushtojnë hapësirën territoriale të tij dhe janë një sfidë e drejtpërdrejtë për lundrimin e lirë ajror dhe detar. Kina po kryen stërvitje në rrugët ujore më të ngarkuara ndërkombëtare dhe rrugët e aviacionit dhe kjo është “sjellje e papërgjegjshme, e paligjshme”, tha Partia Demokratike Progresive në pushtet në Tajvan.
Zëdhënësi i kabinetit qeveritar të Tajvanit, duke dënuar ashpër stërvitjet, tha gjithashtu se faqet e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe zyrës presidenciale u sulmuan nga hakerat.
Të mërkurën mbrëma, vetëm disa orë pasi Pelosi u nis për në Korenë e Jugut, aeroplanë të paidentifikuar, ndoshta drone, fluturuan mbi zonën e ishujve periferikë Kinmen të Tajvanit pranë bregut kontinental, njoftoi ministria e mbrojtjes e Tajvanit. ata u larguan pasi Tajvani hodhi fishekzjarre për t’i paralajmëruar.
Në këtë situatë Tajvani u ka kërkuar gjithashtu anijeve të devijojnë lëvizjet dhe po negocion me Japoninë dhe Filipinet për të gjetur rrugë alternative të aviacionit.