Një grup i FBI është dislokuar në Tiranë për të mbështetur hetimet për zbulimin e autorësisë së sulmit kibernetik ndaj sistemit të shërbimeve online në vendin tonë.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, nga Vlora tha se vendi ynë po merr masat përkatëse për t’u përballur me sulme të kësaj natyre në të ardhmen.
“Ne e kemi tejkaluam, kemi pasur një mbështetje nga grupi i microsoft, dhe shërbimet janë kthyer. Ka zgjatur 14 ditë, por që në ditën e 4 kemi nisur rikthimit.
Ka qenë sulm masiv, jo nga adoleshentë amator,ë ka pasur një sulm të mirëorganizuar, megjithatë me punën nga AKSHI dhe me mbështetjen e partnerëve tanë, amerikanë dhe europianë, sidomos një dislokim të FBI, dhe do ketë një investigim të thellë, po marrim masat, do na japin të dhënat si ka ndodhur sulmi, nga ka ardhur.
Kemi qenë të kujdesshëm me publik, se është përkuar nga grupi që të jemi sa më hermetik, dhe po punojmë akoma më tepër dhe kërkojmë mirëkuptimin e çdo qytetari, sulmet kibernetike nuk reshtin, ne po punojmë për fortifikimin e tyre”, tha Balluku nga ku po inspektonte Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve.
Pas sulmit kibernetik, të gjitha faqet qeveritare online janë rikthyer në normalitet të plotë. Pas pothuajse tre javësh, shërbimet online janë tashmë të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset. Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit njofton se aktualisht në e-Albania janë të aksesueshme 1214 nga 1225 shërbime online. Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.