Rruga e re drejt Lurës do zbulojë një tjetër mrekulli të fshehur të veriut të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje në rrjetet sociale nga kantieri i ndërtimit të rrugës Perlat-Lurë-Arras, teksa shkroi se, “vijon puna në kantierin e rrugës Perlat-Lurë-Arras, në veri të vendit që verën e ardhshme do të jetë gati”.
“Ky aks lidh krahinat e Mirditës, Lurës e Peshkopisë”, theksoi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, ky është një investim që jo vetëm do të lehtësojë jetën e banorëve përreth, por do të shërbejë edhe si një lidhje turistike mes Parkut të Korabit dhe Parkut të Lurës e duke mbërritur deri në bregdetin Adriatik.
Lura është një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Dibër me kullat dhe oborret e rrethuara me furde prej druri që janë tradita alpine. Kullat janë unike për sa i përket ndërtimit me frëngji në katet e dyta dhe pika vrojtimi si kështjella në miniaturë.
Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës.