Arsenal vijon me startin perfekt të kampionatit teksa në transfertë ndaj Bournemouth të besuarit e trajnerit Mikel Arteta regjistruan suksesin e tretë radhazi.

The Gunners triumfuan me rezultatin 0-3, teksa i bënë një start të shkëlqyer sfidës duke kaluar në avantazh që në minutën e pestë me anë të Martin Odegaard. Fantazisti ishte protagonist kryesor për skuadrën e tij teksa gjashtë minuta më pas tundi sërish rrjetën e kundërshtarëve, këtë herë falë një asisti të Gabriel Jesus.

Me rezultatin 0-2 u mbyll pjesa e parë ndërkohë që në fraksionin e dytë, Granit Xhaka asistoi në rastin e golit të tretë që u shënua nga Saliba në minutën e 54-të.

Një realizim që i dha fund shpresave të vendasve për një rezultat pozitiv, me Arsenal që menaxhoi më së miri minutat e mbetura të sfidës madje gjeti edhe golin e katërt, por që festa u anulua nga Var për një pozocion jashtë loje.

Gjithsesi, në fund Arsenal iu gëzua tre pikëve duke shkuar në kuotën e nëntë pikëve në tre ndeshjet e para të kampionatit dhe aktualisht mban kreun e renditjes së Premier League. Nga ana tjetër, Bournemourth pësoi humbjen e dytë sezonale dhe mbetet me tre pikë në vendin e 14-të.