Ukrainës i dorëzohet fondi prej 1 milion euro që qeveria shqiptare i ka alokuar. Lajmi bëhet me dije nga ambasadori ukrainas në Shqipëri Volodymyr Shkurov. Ministria e Financave e Ukrainës në bashkëpunim me Ambasadën e Ukrainës në Shqipëri siguruan marrjen e ndihmës financiare në llogaritë e Shërbimit Shtetëror të Thesarit të Ukrainës.
Ambasadori Shkurov bën me dije se ky fond do të përdoret për shpenzimet prioritare të Ukrainës.
Mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë përshpejton fitoren e Ukrainës. I jemi mirënjohës Qeverisë së Shqipërisë për ndihmën e vendit tonë përballë një pushtimi rus në shkallë të gjerë. Këto fonde do të forcojnë stabilitetin e sistemit financiar të Ukrainës”, tha ministri i Financave të Ukrainës, Serhiy Marchenko.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, në qershor të këtij viti u miratua fondi prej 1 milion euro që qeveria shqiptare premtoi për Ukrainën në Konferencën e Donatorëve. Në total, 6 miliardë euro janë mbledhur nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve në Varshavë për mbledhjen e fondeve për Ukrainën, e organizuar të enjten. Vendet perëndimore janë angazhuar t’i qëndrojnë pranë Kievit për ringritjen dhe rindërtimin.