Ukraina ashpërson kundërofensivën në përpjekjen për të rimarrë territoret e pushtuara në jug të vendit. Ushtria e Kievit tha se kishte thyer mbrojtjen ruse në disa pjesë të frontit të luftës në qytetin e Kherson.
Sipas Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, forcat ukrainase po bombardojnë tragetet që federata ruse po përdor për të rifurnizuar një pjesë të territorit të pushtuar përgjatë rrjedhës perëndimore të lumit Dnipër në rajonin e Kherson.
Por Moska pretendon se trupat rivale kishin pësuar humbje të rënda, dhe se e kishin sprapsur kundër ofensivën në Kherson dhe Mikolaiv. Në videomesazhin e fundit presidenti Zelenski paralajmëroi pushtuesit të ktheheshin në shtëpi nëse donin të mbijetonin.
”Pushtuesit do ta dinë. Do t’i ndjekim ata deri në kufij, në kufijtë tanë të cilët nuk kanë ndryshuar. Nëse duan të mbijetojnë është koha të kthehen në shtëpi. Nëse kanë frikë të shkojnë në Rusi atëherë le të dorëzohen dhe ne do t’i garantojmë trajtimin sipas konventës së Gjenevës”, ishin fjalët e tij.
Kherson u bë qyteti i parë ukrainas që ra në duart e Rusisë pasi trupat avancuan në qytet nga gadishulli i Krimesë në ditët e para të luftës. Më herët gjatë së hënës grupi operacional i Kakhovka në Ukrainë tha se një batalion i forcave të mbështetura nga Rusia kishte braktisur pozicionet në rajonin e Kherson dhe se paraushtarakët rusë që ofronin mbështetje, ishin larguar nga fushëbeteja.
Autoritetet e Kievit thonë se kanë përdorur sistemet raketore të siguruara nga SHBA, HIMARS, për të shkatërruar tre ura që kalojnë në lumin Dnipro.
Sakaq bombardime të reja janë raportuar pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, ndërsa inspektorët e OKB bëhen gati të vizitojnë zonën. Zyrtarë të instaluar nga Rusia në rajon, pretendojnë se një sulm me raketë kishte shkaktuar një vrimë në çatinë e një depoje karburanti në centralin bërthamor.
Sipas funksionarëve, Kievi po përpiqet të minojë misionin e agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore në zonë, por pretendimet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Bombardimet ne Mikolaiv shkaktuan 2 viktima dhe 24 të plagosur.