Autoritetet ruse thanë të dielën se kishin nisu një hetim për vrasjen e vajzës së aleatit të Vladimir Putinit, Alexander Dugin nga një makinë bombë në periferi të Moskës.
Komiteti Hetimor Rus tha se besonte se dikush planifikoi dhe urdhëroi shpërthimin e makinës që vrau Darya Dugina, bazuar në provat e mbledhura deri më tani.
“Duke marrë parasysh të dhënat e marra deri tani, hetuesit besojnë se krimi ishte i planifikuar paraprakisht dhe ishte me porosi,” tha komiteti hetimor në një deklaratë të dielën.
Një mik i Dugin tha për agjencinë ruse të lajmeve TASS se ai besonte se babai i Darya ishte objektivi i vërtetë i shpërthimit , ose ndoshta të dy, pasi makina i përkiste Alexander.
“Është makina e babait të saj”, tha Krasnov për TASS.
“Dasha (Darya) drejton një makinë tjetër, por ajo kishte marrë makinën e tij sot, dhe Aleksandri iku veç,” tha për TASS Andrei Krasnov, kreu i lëvizjes sociale Russky Gorizont (Horizonti Rus) dhe një mik i familjes së Dugin.
Një zyrtar i ministrisë së jashtme ruse la të kuptohej se strukturat shtetërore të Ukrainës ishin përgjegjëse për shpërthimin, një pretendim që autoritetet ukrainase e kanë mohuar.
Babai i Dugina-s është një autor dhe ideolog rus, i cilësuar si arkitekti ose “udhërrëfyesi shpirtëror” i pushtimit rus të Ukrainës. Ai supozohet të ketë ndikim të rëndësishëm mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe u përshkrua si “Truri i Putinit” nga revista Foreign Affairs.
Si Dugin ashtu edhe vajza e tij janë në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara.