Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar sot partinë e re të Ilir Metës. Duke folur për emisionin e mëngjesit në News 24 me Bashkim Hoxhën, Veliaj tha se Partia Socialiste nuk punon vetëm 30 ditë në fushatë, por gjatë gjithë mandatit, ndryshe nga parti si LSI, që pasi dalin me bilanc negativ, mbyllin “NIPT-in” dhe regjistrohen me logo të re.
“Kjo historia që ti punon 30 ditë, si këta që rrinë në Lalëz, dhe kujtohen se tani erdhën zgjedhjet dhe thonë: “Do e shikoni ju në Shtator”. Ou? Po ti ke qenë President i Republikës, pse nuk na i tregove këto gjëra? Dakord, kanë probleme brenda partisë së tyre dhe i kanë partitë si dyqane me numër NIPT-i, pra mbyll bilancin negativ të një NIPT-i dhe hap një tjetër, por është i njëjti dyqan, thjesht i ka vënë një logo të re. Këto janë problemet e partive të dyqanit, kurse partitë serioze janë krenare edhe për emrin e tyre, edhe për të kaluarën e tyre, nuk mbyllin NIPT-in dhe hapin një NIPT të ri sepse nuk kanë paguar TVSH-të. Këta njerëz kanë borxhe, “taksë morale” për t’i paguar publikut shqiptar, dhe në vend që ta paguajnë këtë taksë morale mbyllin qepenin dhe e hapin me një logo tjetër. Është i njëjti dyqan, është i njëjti biznes politik,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se ata që drejtojnë sot dy partitë e opozitës janë më të izoluar se kurrë.
“Mjafton të shikosh aeroportin e Rinasit, qe nuk ka ngelur shqiptar pa udhëtuar dhe pa dalë ndonjëherë nga Shqipëria, dhe kur shikon këta dy personazhe të izolua dhe vijnë si alternativë, është vërtetë një humbje e madhe kohe. Besoj dhe shpresoj se të paktën në fushatë të sjellin disa ide konkrete dhe të shohim kush e bën më mirë këtë punë. Përgjegjësia që unë kam si kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën dhe si i deleguar për qarkun është se jo vetëm në Tiranë, por edhe në Kavajë, Rrogozhinë edhe në Vorë e në Kamëz, të tregojmë me ide dhe me punë konkrete. Pasi të mbarojnë këto muhabetet tona, çfarë ngelet? Ngelen llafet, ngelet kjo fryma e përçarjes, ngelen këto kërcënimet apo ngelet një vepër që ti e ke bërë dhe do të ngelet aty? “Sami Frashëri” do të jetë gjithmonë aty, Liqeni do të jetë gjithmonë aty, Sheshi, Pazari, Kalaja, Astiri aty,” tha kreu i Bashkisë