Gazetari Adriatik Doçi ka publikuar në rrjetet sociale një video me mbishkrimin “video për SPAK”, ku tregon të gjitha faktet një për një se si ish-kryetarja e LSI-së dhe bashkëshortja e ish-presidentit ka harxhuar qindra mijëra euro për ndërhyerje estetike në një klinikë në San Marino.
Bëhet fjalë për një spital në San Marino dhe ndërhyrjet tek Kryemadhi i ka kryer doktoresha shqiptare, Silva Shametaj, e cila ndjek prej vitesh estetikën e ish-kryetares së LSI-së.
Vetë Kryemadhi e ka pranuar përmes postimeve në rrjetet sociale se e ka mikeshë doktoreshën Silva Shametaj dhe se kjo e fundit i ka shërbyer tek spitali në San Marino. Ndërkohë edhe vetë mjeke Shametaj në intervista nëpër media e ka pranuar ndërhyerjet ndaj Kryemadhit dhe politikanëve shqiptarë.
Sipas gazetarit Adriatrik Doçi, të gjitha pagesat për spitalin në San Marino bëhen nëpërmjet kompanive ofshore në Qipro, madje ai ka publikuar edhe faturat nëpërmjet llogarive bankare. Një prej tyre kap shifrën e 287 mijë e 650 eurove.
Madje, gazetari pretendon se në këtë spital ka kryer ndërhyerje për t’u dobësuar edhe vetë ish-presidenti Ilir Meta dhe se dobësimin e tij e ka ndjekur në mënyrë private doktori Gerhard Prager.
Sipas Doçit, çifti Meta-Kryemadhi kanë harxhuar mbi 1 milionë euro të vjedhura nga taksat e shqiptarëve për estetikën e tyre.
“A është në dijeni SPAK-u për këto transaksione?” është pyetja që Adriatik Doçi shtron në fund të videos, teksa paralajmëron se do të nxjerrë fakte të tjera.