Një video e re që qarkullon në internet tregon praninë e automjeteve ushtarake ruse të parkuara brenda sallës së turbinës të lidhur me një nga reaktorët e centralit bërthamor ukrainas të Zaporizhizia, të pushtuar nga trupat e Moskës dhe në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të frikës së aksidenteve katastrofike, shkruan CNN.
CNN ka konfirmuar vërtetësinë e videos, e cila filloi të qarkullonte në mediat sociale të enjten por është e paqartë se kur është marrë video.
Pamjet tregojnë një nga gjashtë dhomat e turbinave të vendosura në anën perëndimore të centralit bërthamor, që ndodhet në qytetin juglindor të Enerhodar. Çdo sallë turbinash është e lidhur dhe ndërtuar në një ndërtesë të madhe që strehon një reaktor bërthamor.
Automjetet, të cilat duket se janë kamionë standardë ushtarakë rusë, janë të vendosur në skajin më perëndimor të ndërtesës në katin e parë, pak më shumë se 130 metra nga reaktori.
Të paktën pesë automjete — me një të shënuar qartë me simbolin pro luftës “Z” — shihen në video, me të paktën dy struktura të ngjashme me tendën aty pranë. Pranë automjeteve ka një sërë paletash të ndryshme.
Nga video është e paqartë nëse paletat dhe strukturat e ngjashme me tendën janë pjesë e ushtrisë ruse apo janë të lidhura me operacionet e termocentraleve.