PS dhe PD-ja e drejtuar nga Alibeaj kanë propozuar 5 nisma ligjore për dekomunistizimin e politikës dhe të shtetit shqiptar. Parashikohet identifikimi dhe përjashtimi i e drejta për t’u zgjedhur e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit dhe e personave që kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë së Punës. Berisha dhe Meta paralajmërojnë rezistencë.Partia Socialiste ka përgatitur një paketë ligjore për dekomunistizimin e shtetit dhe të politikës shqiptare. Paketa e depozituar në Kuvend, përbëhet nga 4 nisma ligjore, të cilat pritet të trazojnë më tej politikën shqiptare në sesionin e ri që do të nisë në shtator, për shkak të përmbajtjes dhe parashikimeve, përcaktuese për fatin e politik të disa figurave që kanë dominuar pluralizmin në Shqipëri.Nisma e parë konsiston në ndryshimin e ligjit të vitit 2015 për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke i hapur rrugë Autoritetit të Dosjeve për të zbuluar spiunët e mundshëm të Ish Sigurimit në të gjitha nivelet e politikët dhe në Parlament.
Në prill të vitit 2015, përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, rrjedhimisht të Ilir Metës, propozuan që të ndalohej me ligj verifikimin nga Autoriteti i Dosjeve të politikanëve dhe zyrtarëve, të cilët e kanë marrë një herë certifikatën e pastërtisë së figurës nga komisionet e famshme ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’ në vitet 1995 dhe 1997.Ky propozim, i cili u reflektua në ligj, ishte një mburojë për të gjithë ata që kishin marrë certifikata pastërtie të dyshuara false nga komisionet ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’, por që në fakt mund të jenë bashkëpunëtor të ish Sigurimit të Shtetit.
Edhe Ilir Meta ka marrë certifikatë pastërtie edhe nga Komisioni Mezini, ashtu edhe nga Komisioni Bezhani. Por, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes një dosje referuar në Kuvend, e ka hedhur poshtë këtë certifikatë sigurie të Ilir Metës, duke e implikuar në ish Sigurimin e Shtetit. Sipas Autoritetit, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar edhe shokun e tij, Filip Talo.
Në këto rrethana, Autoriteti i Dosjeve i kërkoi Kuvendit për të hequr kufizime e verifikimit në ligj, duke i hapur rrugë që të verifikojë edhe ata që kanë marrë certifikata pastërtie nga nga komisionet e famshme ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’. Kjo kërkesë është pranuar nga shumica në Kuvend, duke hartuar një amendament për ndryshimin e ligjit të dosjeve.Nisma e dytë është rrjedhojë se nismës së parë, ku parashikon ndryshimin e ligjit të vitit 2015 për dekriminalizimin dhe konsiston në ndarjen përfundimtare të politikës dhe shtetit shqiptar nga bashkëpunëtorët e ish Sigurimit të Shtetit. Nisma ligjore parashikon ndalimin për t’u zgjedhur në funksione të larta publike të personave, të cilët konstatohen nga Autoriteti i Dosjeve se kanë qenë bashkëpunëtorë apo të favorizuar nga ish Sigurimi i Shtetit.“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Ky parashikim duket se atakon Ilir Metën, duke i dhënë fund karrierës së tij politike. Edhe pse Meta vijon të deklarojë se nuk është ai spiuni I. M i ish Sigurimit të Shtetit, kreu i Partisë së Lirisë ka kërcënuar me një fjalor banal kryeministrin Edi Rama, nëse nuk tërhiqet nga ndryshimet ligjore.
Nervozizmi i Metës shton dyshimet se është ai personi me inicialet I. M që është zbuluar nga Autoriteti i Dosjeve si bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, ku si rrjedhojë atakohet nga ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit.Nisma e tretë konsiston në ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke reflektuar ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit dhe në ligjin për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Tek ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe ligjin e dekriminalizimit, socialistët po mendojnë që të përfshijnë ndalimin për t’u zgjedhur të personave të cilët kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë së Punës së Shqipërisë. Një propozim i tillë, nëse do të miratohej, do të largonte Sali Berishën nga Parlamenti, për shkak se ka qenë sekretar partia. Ndoshta kjo mund të jetë arsyeja se pse Sali Berisha reagoi ashpër kundër këtyre ndryshimeve të paralajmëruara nga përfaqësuesit e PS-së.Nisma e katërt konsiston në ndryshimin e ligjit për partitë politike, duke shtuar parashikimin e ndalimit për të drejtuar një parti politike nga persona të cilëve Autoriteti Dosjeve u vërteton se kanë qenë bashkëpunëtor të ish Sigurimit të Shtetit. Është parashikuar shtimi i një neni në ligj, ku të theksohet se nëse autoriteti dosjeve fakton se një kryetar i sotëm partie politike ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, gjykata nuk e regjistron atë forcë politike.Nisma e pestë është propozuar nga Partia Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj dhe konsiston në ndryshimin e ligjit “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror”, me qëllim për të bërë publike dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, me përjashtim të rasteve që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare. Që të pesta nismat ligjore konsistojnë në dekomunistizimin e politikës dhe të shtetit shqiptar.