Daljet e përditshme të Sali Berishës dhe Ilir Metës në këto ditë pushimesh zyrtare nuk janë rastësi. Ato tregojnë shqetësimin e madh që kanë të dy, më shumë me ndërkombëtarët, sesa me qeverisjen e Edi Ramës.
E përbashkëta është që të dy po përpiqen që të maksimizojnë protagonizmin e tyre politik për t’u paraqitur para ndërkombëtarëve si faktorë udhëheqës në vend në vjeshtë, kur pritet edhe stuhia më e madhe ndaj tyre.
Sali Berisha ka sot një parti pa vulë zyrtare. Për vulën po zhvillohet një proces ligjor në Apel dhe pritet që kjo gjykatë të marrë një vendim në favor të Enkelejd Alibeaj. Kjo do ta çonte PD-në e Berishës në një fraksion të paligjshëm, duke ia bërë të pamundur që të hyjë në zgjedhje me vulën e logon e PD-së zyrtare.
Që të shmangë këtë pengesë, Berisha mund të krijojë një parti të re dhe të pretendojë se partia e re e drejtuar prej tij përfaqëson dhe mbron interesat e demokratëve. Por, në këtë rast, burime diplomatike bëjnë me dije për Voxnews.al se partia e re e themeluar prej tij do të shpallej po aq non grata nga SHBA, sa edhe vetë Berisha.Nuk bëhet fjalë ndalimi i udhëtimit të partisë së re të Berishës përtej Atlantikut, por shpallja e saj si organizatë më e pakta antiamerikane dhe më e shumta terroriste. Kjo do ta vendoste në listën e zezë të organizatave.
Raportet me ndërkombëtarët nuk janë aq të mira për PD-në e Berishës as sot. Partitë Popullore Europiane, nuk kanë mbajtur qëndrim zyrtar e publik për sherrin e vulës në partinë më të madhe të opozitës, por me vendime janë distancuar nga Berisha. Vota e përfaqësuesve të PD-së u pezullua në kuvendin e fundit të PPE dhe anëtarësia mbetet e pezulluar deri në zgjidhjen e sherrit se kush ka vulën e kush ka partinë.
Nga ana tjetër, lista e vendeve perëndimore që shpallin Berishën të padëshiruar pritet të zgjerohet dhe vendi i radhës me gjasë do të jetë Gjermania, që do t’i shtohet kështu SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Në Berlin, Berisha nuk gëzon as mbështetjen e të djathtës gjermane, të cilët e kanë deklaruar se e quajnë ‘të paimagjinueshëm bashkëpunimin me Sali Berishën’, që do të thotë me PD-në e tij.
Nëse Berisha është në fazë të avancuar në ‘armiqësinë’ me amerikanët e britanikët, Ilir Meta po përpiqet që ta shmangë këtë. Kryetari i Partisë së Lirisë pritet gjithashtu që në vjeshtë të shpallet non grata nga SHBA, një vendim që për momentin i mungon vetëm firma e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
Edhe me Metën po ndiqet e njëjta procedurë si me Berishën dhe arsyetimi është gjithashtu i njëjtë; pra për përfshirje në afera madhore korruptive dhe minim të demokracisë.
SHBA-në më pas mund të ndjekin edhe vende të tjera, siç e ndoqi Britania e Madhe me Sali Berishën. Këto janë arsyet që gushti i trazuar i dyshues Berisha-Meta është qetësia para stuhisë ndërkombëtare që pritet të bjerë mbi ta.(Voxnews.al)