Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi është shprehur se në votën e emigrantëve duhet të ketë një koordinim mes Ministrisë së Jashtme, Ambasadave, Konsullatave, Gjendjes Civile, pasi sipas tij impenjimi i KQZ-së nuk mjafton. I ftuar në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu, Krashi duke iu referuar propozimit të KQZ-së, tha se do ishte një fatkeqësi nëse do kishte një numër të vogël emigrantësh që do të regjistroheshin për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Ambasadat dhe Konsullatat të marrin masat të regjistrohen të gjithë shqiptarët mbi 18-vjeç që jetojnë jashtë, ministria e jashtme dhe ambasadat t’i regjistrojnë, fatkeqësi nëse KQZ do bënte punën dhe do regjistrohej një numër qytetarësh shumë të vegjël. Nuk e bën do vetëm KQZ, është gjendja civile, ministria e Jashtme, duhet ndërgjegjësim i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Ai tha se kjo votë duhet të ketë të njëjtën vlerë me votën e çdo qytetari shqiptar.
“Vota e tyre ka aq peshë sa ka vota e një qytetari shqiptar”, theksoi Krashi.
Duke u ndalur te opozita, Krashi tha se mazhoranca do të punojë shumë fort që të gjejnë gjuhën e përbashkët me palën tjetër.
“Shpresoj që të gjejmë fort dhe do punoj me energjitë e mia personale për të gjetur gjuhën e përbashkët me kolegët e opozitës”, tha ai.
Ditën e djeshme KQZ-ja paraqiti me detaje një propozim se si do të bëhej i mundur ky proces për votimin e emigrantëve. Ky propozim është në fazën e diskutimeve dhe u është dorëzuar deputetëve për ta shqyrtuar.
Brenda vjeshtës së vitit 2023 duhet të jetë gati procesi për votimin e emigrantëve nga jashtë vendit e për këtë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi theksoi më herët se duhet dakordësi e plotë e të gjitha palëve politike. Palët parimisht kanë rënë dakord për votën e emigrantëve, por nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët se si kjo të bëhet realitet.