Pak ditë para se Kosova të nisë zbatimin e reciprocitetit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë dokumentet e Kosovës, por vetëm me një shënim ku të specifikohet se nuk njihet pavarësia.
Sipas tij, lëvizja e shtetasve kosovarë në Serbi duhet të lejohet vetëm për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe s’mund të interpretohet si njohje e sovranitetit të vendit
Sipas Vuçiç, serbët e gjithë Kosovës duhet të lejohen të lëvizin me dokumente të Serbisë pa i treguar në kufi, ndërsa çështjen e targave e sheh më të komplikuar.
“Për këtë ne jemi duke kërkuar garancinë e BE-së. Ne jemi duke kërkuar që secili serb nga veriu i Kosovës të mund të hyjë në territorin e Kosovës me dokumente serbe, dhe që mund të dalin kur të duan. Nëse e konfirmojnë këtë, ne kemi zgjidhur një problem të vogël”, tha Vucic.
Vuçic theksoi edhe njëherë se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. “Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, tha presidenti serb, duke shtuar se është i gatshëm të diskutojë për kompromis për çështje të tjera.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka kmentuar edhe njëherë situatën e pritshme në Veri të Kosovës, duke deklaruar se askush nuk duhet të vdesë ose të lëndohet për shkak të targave.