Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me Ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann.

Ministrja Xhaçka dhe Ambasadorja Hohman diskutuan për rrugëtimin që e pret Shqipërinë pas hapjes formale të negociatave me Bashkimin Evropian.

Në një postim në rrjetet sociale, kryediplomatja Xhaçka theksoi se mirëpret bashkëpunimin me ambasadoren Hohmann për të çuar përpara procesin e negociatave.

Ndërsa ambasadorja e BE-së, e konsideroi takimin me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka si një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe bashkëpunimin BE – Shqipëri në nivel të shumëanshëm.

“Së bashku mund të përballim sfidat e shumta për sigurinë dhe prosperitetin tonë të përbashkët. Mezi pres të punojmë së bashku”, u shpreh Hohmann në një postim në rrjetet sociale.

Christiane Hohmann u emërua Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri në muajin qershor, pak kohë pas përfundimit të mandatit të Luigi Soreca.