Kreu i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ferenc Kajári, ka njoftuar autoritetet në Kosovë për përgatitjet dhe angazhimet shtesë të këtij misioni, me qëllim që të garantohet paqja dhe sigurie në veri të vendit. Ai u takua më 24 gusht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kurtit, kreu i ekzekutivit kosovar ka shprehur zotimin e Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë për koordinim me KFOR-in lidhur me “garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë”.
“Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla falënderuan gjeneralmajor Kajárin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit”, thuhet në njoftim.KFOR, që ka afër 4.000 ushtarë në Kosovë, kohëve të fundit ka rritur prezencën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas rritjes së tensioneve. Forcat paqeruajtëse të NATO-s gjenden në Kosovë që nga viti 1999 dhe misioni i tyre buron nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Pasi serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, KFOR tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti. Komente të njëjta kishte bërë edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimeve të ndara në Bruksel më 17 gusht me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Barrikadat u ngritën në veri për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe. Qeveria u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve deri më 1 shtator, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit. Por, që atëherë Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza lidhur se kush është fajtorë për rritjen e tensioneve në veri. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje që të bindin palët të arrijnë një marrëveshje para 1 shtatorit, kur pritet që të hyjnë në fuqi vendimet për targat dhe dokumentet. Në këtë kuadër po realizohet edhe vizita në Prishtinë – e më pas edhe në Beograd – e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ata thanë të mërkurën në Prishtinë se presin që Kosova dhe Serbia të ofrojnë propozime konkrete për gjetjen e një zgjidhjeje. Qeveria e Kosovës thotë se të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, duhet të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës. Por, Serbia ka kërkuar që të përdoren targa KS, që janë neutrale ndaj pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, Prishtina dëshiron që po ashtu të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, të pajisen me dokument për hyrje/dalje, sikurse pajisen shtetasit kosovar kur hyjnë në Serbi. Kosova ka propozuar që të hiqet krejtësisht dorë nga lëshimi i këtyre dokumenteve, nëse Serbia vepron njësoj. Për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje, palët kishin arritur marrëveshje vite më parë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.