Një bombë e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore e zhytur në një lumë italian është zbuluar për shkak të thatësirës nga temperaturat e larta.
Bomba prej 450 kilogramë u gjet nga peshkatarët në brigjet e lumit Po.
Një sipërfaqe e lumit prej 650 km është tharë.
Moti i pazakontë i nxehtë dhe nivelet e ulëta të reshjeve kanë shtuar mungesën e ujit në veri të Italisë dhe kanë rritur frikën për efektet e ndryshimeve klimatike.
“Bomba u gjet nga peshkatarët në bregun e lumit Po”, tha zyrtari i ushtrisë, koloneli Marco Nasi për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Pajisja e pashpërthyer, për të cilën zyrtarët ushtarakë italianë thanë se përmbante 240 kg eksploziv, u zbulua pranë fshatit Borgo Virgilio të Lombardisë në korrik.
Rreth 3 mijë banorë aty pranë thuhet se u evakuuan në mënyrë që ekspertët e asgjësimit të bombave të mund të kryenin me siguri një shpërthim të kontrolluar të dielën. Hapësira ajrore e zonës u bllokua po ashtu për një kohë të shkurtër.
“Në fillim, disa nga banorët thanë se nuk do të lëviznin, por ditët e fundit mendojmë se i kemi bindur të gjithë”, tha kryebashkiaku vendas Francesco Apori.
Po është lumi më i gjatë i Italisë, që rrjedh nga Alpet jugperëndimore deri në detin Adriatik – por imazhet vjetore satelitore të këtij viti tregojnë zona të zgjeruara të shtratit të lumit të tharë si rezultat i thatësirës ekstreme.
Zyrtarët italianë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme muajin e kaluar për zonat përreth Po, i cili ujit rreth një të tretën e prodhimit bujqësor të vendit.
Rryma e lumit është dobësuar aq shumë për shkak të nxehtësisë dhe mungesës së reshjeve në muajt e fundit, sa fermerët në Luginën e Po-së thonë se uji i kripur i detit po depërton në lumë, duke shkatërruar të korrat.