Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi, dje iu kundërpërgjigj kryeministrit Edi Rama për inceneratorin e Tiranës.

Ajo lëshoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe e paralajmëroi se do të digjet bashkë me inceneratorët.

Këtë reagim, ish-kryetarja e LSI-së, e bëri në rrjete sociale, ku sigurisht ka edhe komente, por që nuk janë lejuar nga ajo.

Përveçse i ka kufizuar, i ka zhdukur komentet e qytetarëve.

Dy ditë më parë ajo trumbetonte se sfida e PL-së është se jemi kampionë të modelit politik, që dëgjon e përkujdeset për njerëzit dhe një ditë më pas i bllokon qytetarët.

Kujtojmë se Kryemadhi dhe bashkëshorti i saj Ilir Meta janë paditur së fundmi në SPAK nga avokati Idajet Beqiri.

Ky i fundit e akuzon çiftin se kanë fshehur të ardhurat, ndërkohë që janë shpenzuar shuma të mëdha parash për operacione plastike.

Në padinë e tij, Beqiri radhit dy raste kur sipas tij Meta dhe Kryemadhi kanë kryer trajtime mjekësore me vlera kolosale. Trajtimi për Kryemadhin është bërë në San Marino me një vlerë rreth 287 mijë euro, kurse Meta është trajtuar në Vjenë përgjatë viteve 2013-2014.

Pjesë e padisë janë edhe dy fëmijët e çiftit Meta, Besari dhe Bora.

Kjo është padia e dytë ndaj Metës në SPAK krahas asaj të ish-deputetit Halit Valteri, i cili regjistroi një padi ndaj Presidentit të asaj kohe me argumentin se kishte kryer korrupsion. Pjesë e asaj padie janë edhe Monika Kryemadhi si edhe Vangjel Tavo.

Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.

Valteri theksoi se dispononte të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale./CNA.al