6 djem e vajza nga Shqipëria ishin pjesë e garës rajonale të robotikës, organizuar në Prishtinë. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ishte pjesë e punimeve të samitit të 5-të dixhital për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Prishtinë, takoi përfaqësuesit e Shqipërisë që morën pjesë në garën rajonale të robotikës.
“6 djem e vajza nga Shqipëria na bënë krenarë me pjesëmarrjen e tyre në garën rajonale të robotikës, organizuar në Prishtinë. Emocionet dhe përgjegjësia që ndjenin fëmijët ma mbushën zemrën plot. Përfaqësues dinjitoz të vendit tonë që me arritjet e tyre na bëjnë krenarë. Teknologjia po njeh ritme të shpejta zhvillimi dhe më të vegjlit janë ata të cilët me njohuritë dhe talentin e tyre do të jenë nesër ekspertë të kësaj fushe. Mbështetja ndaj tyre është një detyrë për të gjithë ne”, u shpreh Balluku në rrjetet sociale.
Samiti dixhital për Ballkanin Perëndimor, është një nisëm për angazhim për të punuar ngushtësisht në transformimin dixhital të rajonit. Krijimi i një tregu të përbashkët dixhital, si dhe zhvillimi i mëtejshëm teknologjik, krijon një mori mundësish bashkëpunimi në shumë sektorë të rëndësishëm. Zv/kryeministrja Balluku në fjalën e saj në këtë samit tha se zhvillimi dixhital rrit nevojën për mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike. “Shqipëria mbetet e angazhuar për të zhvilluar infrastrukturë dixhitale të sigurt e të qëndrueshme, bazuar mbi parimin e bashkëpunimit”, deklaroi ajo.