Berisha kapërceu Adriatikun me “Foltoren” e tij, e cila pas betejës me Bashën është fokusuar të riardhja në pushtet, edhe pse racionalisht e logjikisht kjo është e pamundur në të gjitha drejtimet. Zhgënjimet nga qeverisja e Ramës nuk janë të mjaftueshme për rrëzimin e tij, deri në çastin kur dikush, një emër, i ri apo i traditës politike, të rrezatojë avantazhe disaplanëshe ndaj tij, të skalitura në kohë dhe me provë se ekzistojnë në ndjesitë e elektoratit. Kjo ende nuk ka asnjë shenjë në horizont me dyshen në aksion Berisha-Meta. Dhe nuk besohet të ketë.
Pikërisht ngaqë është e provuar në vite dhe nuk ka asnjë lloj zhvillimi që mund të sjellë ndonjë përmbysje. Dhe një ndër disavantazhet e kësaj dysheje është fakti se janë pa miq e shokë në botë. Berisha përmendi Berluscon-in një ditë më parë në Itali, duke revokuar kohërat kur qeveriste dhe takohej me manjatin e politikës italiane, por vetëm kaq.
Askush se sajdisi nga e djathta italiane, si provë që paçka dy “non grata”-ve, amerikane e britanike, ai gjithsesi ka miq e shokë në botë, qoftë dhe në Italinë fqinje, jo domosdoshmërisht për lidhje të ngushta politike por dhe thjesht njerëzore.
Dhe nuk duhet shumë prova për këtë. Vetmia e dyshes Berisha-Meta është qartësisht dramatike.
Politikani e ndërton personalitetin e vet imponues dhe nga njohjet apo lidhjet që ka në familjen botërore politike. Aty krijohen raporte të interesit momental, krejtësisht politik, por krijohen dhe raporte edhe me theks njerëzor, të cilat u rezistojnë viteve. Ekziston shoqëri dhe në politikë. Mbetet dhe aty diçka njerëzore që tejkalon politikën.
Për krahasim, Rama vetëm në një gjë s’kritikohet dot: te aftësia për të patur miq, në çdo sferë, të cilët i ka për çdo situatë. Këta miq janë politikë, të partneritetit klasik që bazohet në interesa, por janë dhe njerëzorë. Madje ai s’ngopet të zërë miq, ngado e për shumëçka. Kjo bën që shumë situata delikate, të llojit të krizave, t’i zgjidh dhe me njohje, me miq.
Jo më kot, në axhendën mediatike opozitare i mëshohet fort herëpashere një zemërimi(hipotetik) të Erdoganit me Ramën. Po të ndodhte vërtet, do kishte festë te opozita. Siç kishte festë nga deklarata e Ramës kundër Trump-it, si një fatkeqësi nëse zgjidhjej president i SHBA. Ai u zgjodh dhe nuk ndodhi asgjë në politikën amerikane ndaj Ramës, ashtu siç opozita e projektoi, një lloj hakmarrje. Rama ia kaloi paq dhe me Trump-in, si të ishin miq.
Kjo çështje si dhe ky aspekt i figurave kryesore politike në Shqipëri, pothuajse nuk diskutohen aspak: aftësia për të patur miq dhe aleatë, në pushtet apo në opozitë.
Ndaj, do mjaftonte vetëm vetmia dramatike e dyshes Berisha-Meta, si një ndër handikapet më të thella të tyre në profilin politik, për të kuptuar vdekjen e tyre politike me kohë. Ajo çfarë bëjnë është thjesht përpëlitje!(Tesheshi)