Nga Roland Qafoku
Plasi. Ajo që thuhej, stërthuhej, hetohej, stërhetohej, hapej dhe mbyllej si dosje, tashmë është një lajm i vërtetë. Më 14 shtator Departamenti i Shtetit deklaroi se Lulzim Basha ka marrë në emër të PD-së 500 mijë dollarë nga Rusia për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Është diletante kur dëgjon disa deputetë mbetës proBashës që pyesin ambasadoren Yuri Kim nëse Basha i ka marrë apo jo ato para. Ore, Departamenti i Shtetit deklaron publikisht se kjo ka ndodhur dhe ju pyesni ende: A i ka marrë vërtetë, apo është ëndërr?! Kjo është bomba e dytë me vlerë atomike që ka rënë në PD pas 19 majit 2021 kur sekretari Anthony Blinken shpalli Berishën Non grata. Dhe po SHBA, për ironi, në rrjedhë llogjike shpall Lulzim Bashën pro rus. Vetë Lulzim Basha tashmë mund të thotë ç’të dojë, të betohet siç e ka bërë zakon në 8 vite se nuk është prorus por proamerikan i thekur, por fakti është fakt dhe jo koment nga ata që ua servir atyre soj analistësh të vetëshpallur. Ai tashmë është i faktuar nga SHBA si i financuar nga Rusia. Dikush mund të shkruajë se aq di dhe nuk e ka me të keq.
Po, po por kur ky që nuk di, pas 8 vjetësh e ka katandisur PD-në në një parti të shkërrmoqur a mund ti themi më që nuk di? Dikush mund të thotë që ambasadorja Kim e shiti. Kjo është po aq qesharake sa betimet e Bashës. Kim as e kishte blerë e as e ka shitur. Basha shpërdoroi besimin amerikan për të qenë vërtetë një lider proamerikan por siç e kam shkruar edhe me dhjetra herë, ai që gënjeshtrën dhe përdredhjet që bëri edhe me një njeri të thjeshtë, mund ta bëjë këtë po aq lehtësisht edhe me njeriun më të rëndësishëm. Thjesht i zhgënjeu të gjithë. E bëri me Jozefina Topallin. E bëri me sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani. E bëri me nënkryetarin e Bashkisë Enno Bozdon. Dhe në fund e bërie dhe me babin e tij politik Sali Berishën. E bëri me të gjithë dhe nuk do ta bënte këtë me Yuri Kim dhe SHBA? Ja që e paska bërë edhe me ata. Kjo tregon se figura e tij është djegur një herë e përgjithmonë si lider në PD. Ajo që të shqetëson më shumë në të gjithë këtë histori është situata në PD. Kemi një krytear i PD-së jo zyrtare si Sali Berisha që është shpallur antiamerikan dhe antibritanik dhe një ish-kryetar që ka lënë në këmbën e vet një kryetar të shpallur prorus. Më keq nuk ka ku të shkojë. Edhe parashikuesi më i zymtë i kësaj partie nuk ka imagjinuar kurrë një situatë të tillë.
MOTHER JOHNES DHE MEDIA AMERIKANE
Revista amerikane “Mother Jones”, e specializuar për shkrime investigative me qendër në San Francisko të Kalifornisë është ndër gjigandët e medias amerikane. 31 herë e nominuar në gara finale dhe 7 herë fituese çmime ndërkombëtare kjo revistë e ka 95 indeksin e besueshmërisë, nga 100 që është maksimali. Besueshmëria e kësaj reviste është e tillë që gazetat më të mrië në SHBA si “New York Times”, “Washington Post” i referohen herë pas here. Kështu ndodhi edhe me investigimin për financimet ruse në vitin 2018. Këtë artikull e ribotoi edhe “New York Times” dhe “Washington Post”. Për kujtesë, “Washington Post” është gazeta që me investigimin e skandalit të “Watergate” ngriti në zenit gazetarinë amerikane dhe uli në tokë presidentin Richard Nixon kur e detyroi që më 8 gusht në vitin 1974 të jepte dorëheqjen. Nuk ka vend për krahasim, por pas 44 vjetësh, është revista “Mother Jones” që me investigimin për financimet ruse në Shqipëri, uli në tokë kryetarin e përkëdhelur të Partisë Demokratike në Shqipëri Lulzim Basha. Ja një nga frazat e kësaj reviste:
“Basha ishte një skeptik relativ, duke kritikuar masat kundër korrupsionit që vendi i goditur nga krimi do të duhej të merrte për t’u anëtarësuar në BE. Muzin mori një pagesë prej 500,000 dollarësh lidhur me lobimin e tij shqiptar. Muzin dhe Basha dhanë shpjegime të ndryshme. Por provat sugjeruan se paratë erdhën nëpërmjet “Biniatta Trade LP”, një kompani guackë e regjistruar në Skoci nga dy kompani të tjera guaskë, të cilat ishin me bazë në Belize. “Biniatta”, pavarësisht përpjekjeve për të errësuar origjinën e saj, dukej se kishte rrënjë ruse”.
Dhe ironitë dhe kundërshtitë vazhdojnë. Lulzim Basha as ka guxuar ta padisë revistën “Mother Jones” për këtë shkrim dhe kjo tregon shumë.
DEKLARATA QË SQAROJNË SHUMË
Duket përsëri ironike por deklaratën më të fortë ndaj Lulzim Basha për lidhjet e tij me Rusinë e ka bërë Monika Kryemadhi. Deklarata e saj bëri po aq bujë por u harrua po aq shpejt. Më 22 mars 2022, në emisionin tim “Dekalog”, Kryemadhi tha:
“Lulzim Basha është infiltrim në jetën politike shqiptare me një qëllim të vetëm fuqizimin e elementit rus në Shqipëri, dëmtimin e rolit të Shqipërisë dhe uljen e ndikimit të Shqipërisë në rajon si lider për çështjen e stabilitetit dhe fuqizimin e Serbisë”.
Deklarata merr një vlerë kur zonja Kryemadhi e ka dhënë në momentin kur bashkëshorti i saj Ilir Meta ishte ende në detyrën e presidentit të republikës dhe presupozohet se ai është personi më i informuar në vend. Ndonëse marrëdhëniet e Kryemadhit me Bashën ishin prishur për shkaqet që dihen, duket që kjo deklaratë nuk është në zemërim e sipër. Ajo që është një konkluzion pas informacioneve që ka Kryemadhi dhe besojmë që nuk ka patur pak. Por më 14 shtator Departamenti i Shtetit u bëri konfirmimin e hamendësimeve, dyshimeve dhe deklaratave. Radioja prestigjoze e këtij departamenti “Zeri i Amerikës” raportoi:
“Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”. Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende. “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”.
Duket se deklaratën më të fortë për sqarimin e kësaj rrethane e ka bërë ish-sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani. Numri dy dhe bashkëpunëtori më i afërt i Bashës bëri publikisht pak ditë më parë një fakti që e kompromenton akoma më rëndë Lulzim Bashën teksa tha:
“Në statutin e PD-së është e shkruar se marrëveshja të tilla lobimi me të tretë nuk bëhen nga kryetari pa një autorizim nga organet kolegjiale të partisë. Organet kolegjiale të partisë, ose partia vetë nuk i është dhënë asnjë autorizim kryetarit që të kryejë një lobim të tillë. Unë s’kam qenë në dijeni për çështje të tilla. U vura në dijeni nga mediat”.
Pika më enigamtike e kësha hostorie mbetet Sali Berisha. Kjo për arsyen se pas publikimit të investigimit në 2018 ai e mbrojti Lulzim Bashën. Ndërkohë me rikthimin e kësaj çështjeje, Berisha është treguar më i ashpër se kurrë duke quajtur atë të kapur nga Rama. Deklaroi Berisha:
“Vendimi për një audit do merret dhe është shumë i drejtë, por duhet t’ju informoj se Basha ka marrë çdo gjë me vete, hardisqet dhe çdo gjë”.
Në konferencën për shtyp të së shtunës, kryeministri Edi Rama i sulmoi të dy, si Berishën dhe Bashën. Por më kryesorja është ajo që ai tha për financimin rus. Sigurisht që edhe në këtë rast ai bëri politikën që i intereson atij, por armiqtë e Ramës nuk mund t’ia mohojnë atë që ai përmendi lidhur me sqarimin që kishte dhënë Lulzim Basha për financimin e PD. Deklaroi Rama:
“Financimi rus i PD është denoncuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Dhe të gjithë ata që janë çuditur sot dhe bëjnë sikur ç’paksa ndodhur s’kanë lënë gjë pa iu thënë denoncuesve. Edhe çfarë kërkoni sot? Po në televizionin tuaj ka dalë Lulzim Basha dhe ka treguar për një përrallë me 500 aksionerë që financuan nga diaspora. Nuk është vetëm kjo, shumë shpejt do të habiteni edhe për çështje të tjera që janë aty dhe ulërasin. Dhe pastaj do të vini dhe të na thoni ke ndonjë gisht t’i me mbylljen”.
Nisur nga këto deklarata, është i lehtë konkluzioni që mund të nxjerrësh. Ajo që mungon këtu është një sqarim shterues i vetë Lulzim Bashës. Deri tani ai vetëm sa e ka ngatërruar edhe më shumë skandalin. Si për mediat dhe për prokurorinë ato që ai ka thënë kanë kundërshtuar njëra-tjetrën. Këtë herë nuk duket dhe aq e lehtë. Jo vetëm për të por edhe për PD. Ajo tashmë është e ndarë në antiamerikanë dhe në prorusë.