Autoritetet britanike thanë të dielën se Rusia i ka zgjeruar sulmet ndaj infrastrukturën civile ukrainase gjatë javës së kaluar, pas vështirësive me të cilat është hasur në frontin e betejë. Sipas ministrisë britanike të Mbrojtjes gjasat janë që Moska ta zgjerojë më tej gamën e objektivave të saj.
Ndërsa ukrainasit po kthehen në zonën verilindore të çliruar, pas një sulmi të rrufeshëm të Kievit në fillim të këtij muaji, ushtria ruse ka vazhduar sulmet nga ajri e toka në lindje të Ukrainës.
Të shtunën pesë civilë u vranë si pasojë e sulmeve ruse në rajonin lindor të Donetskut ndërsa në Nikopol, një qytet më në perëndim të vendit u goditën disa dhjetëra ndërtesa banimi, tubacione gazi e linja elektrike, njoftuan të dielën guvernatorët rajonalë.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile, janë intensifikuar gjatë shtatë ditëve të fundit.
“Në një kohë kur Moska po përballet me probleme në vijën e frontit, ajo ka të ngjarë të zgjerojë zonat që është e gatshme të godasë, në një përpjekje për të minuar drejtpërdrejt moralin e popullit dhe qeverisë ukrainase”, thuhej në një raport të fundit të agjencive të zbulimit britanik.
Rusia thotë se trupat e saj kanë në shënjestër vetëm objektiva ushtarakë duke mohuar sulmet ndaj popullatës civile./VOA