Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Konferenca e Kryetarëve ka rënë dakord për të ngritur një komision të posaçëm bipartisan për ndryshimin e ligjit që përcakton rolin e Kuvendit në procesin e integrimit.

“Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare është një moment historik dhe Kuvendi nuk do të mbetet prapa, për sa i përket rolit që ka në këtë proces. Kuvendi ka rolin udhëheqës në këtë proces. Qeveria negocion, por Kuvendi ka rolin e vet”, tha Balla.

Sipas tij, në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord për ngritjen e komisionit të posaçëm bipartisan, madje, shtoi ai u diskutuan edhe mera konkret dhe se të enjten pritet të kalojë në seancë.

“Kemi dakordësuar në konferencën ne kryetarëve ngritjen e një grupi të përbashkët pune për ndryshimin e ligjit për rolin e Kuvendit përgjatë procesit të integrimit. Do të jetë komision bipartisan. Të enjten besoj do të kalojë. Komisioni do të jetë me afat të shkurtër, pasi ligji duhet ndryshuar me urgjencë“, tha Balla.