Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri i vendit Edi Rama ka dhënë një prononcim për mediat ku ka bërë të ditur vendimet e marra. I pyetur se a mund të kursehen lekët që janë shpenzuar sipas gazetarit për pagesën e një grupi polifonik nga Bashkia e Sarandës me 23 milionë e 322 mijë lekë të vjetra, për të kënduar për Ramën në tunelin Kardhiq-Delvinë, Kryeministri Rama është shprehur se nuk ka dijeni për një gjë të tillë teksa ka shtuar se është i bindur se një gjë e tillë është thjeshtë një “përrallë”.
Pyetje: Ju flisni për një paketë të ndihmës sociale, ndërsa një grup polifonik është paguar dhe shpërblyer nga Bashkia e Sarandës me 23 milionë e 322 mijë lekë të vjetra vetëm se ju këndoi ju në tunelin Kardhiq-Delvinë. A mund të kursehen këto para ose të çohen për familjet në nevojë?
Edi Rama: E para punës, është hera e parë që e dëgjoj këtë gjë. E dyta e punës, kjo është një përrallë dhe është pak po e sigurtë dhe e treta, dhe me këtë rast besoj se është mirë që ta studioni pak më shumë polifoninë dhe rrugën e polifonisë për të kuptuar se është kur bëhet fjalë për referime të caktuara tek persona të caktuar, kjo nuk ka të bëjë me të kënduarit për mua apo për dikë tjetër, por me natyrën që ka ai folklor. Se çfarë ka paguar Bashkia e Sarandës dhe pse i ka paguar nuk kam asnjë dijeni, nuk jam unë që ju jap visto se si i shpenzon një bashki ato të ardhura e veta që ka për të shpenzuar dhe mbi të gjitha, ju në rast se doni që të ardhurat e Bashkisë së Sarandës, kandidoni, fitoni dhe shpenzojini si të doni. Nuk mund të funksionojë kështu, merr mikrofonin dhe tregon një përrallë. Megjithëse unë t’u përgjigja dhe të thashë se nuk kam dijeni, megjithëse unë jam i bindur se kjo është një përrallë e treguar siç tregohen përrallat.