Vështirësitë e furnizimeve me maska, pajisje mbrojtëse e respiratorë gjatë pandemisë treguan, se BE nuk është e përgatitur ndaj krizave. Me një instrument të ri për emergjenca unioni synon tani të jetë i përgatitur.
Projektligji i paraqitur në Bruksel ka për qëllim të shmangë mungesat me produkte të rëndësishme strategjike. Prodhuesit mund të detyrohen, që të furnizojnë me prioritet Evropën dhe jo SHBA-në apo vendet aziatike. BE-ja nuk duhet të presë më me muaj për t’u furnizuar me mallra kyçe ashtu siç ndodhi në rastin e pandemisë, tha komisari ri Tregut të Brendshëm, Thierry Breton.
Kompetenca të posaçme kundrejt industrisë
Instrumenti i emergjencave për tregun e brendshëm (Single Market Emergency Instrument, SMEI) duhet ta pajisë Evropën për “raste ekstreme”, theksoi Breton. Në kohë krizash Komisioni i BE-së do të aktivizojë një “modus mbikëqyrjeje”. Në një rast të tillë vendet anëtare mund të shpallin “emergjencën”, gjë që i jep Brukselit kompetenca të posaçme kundrejt industrisë. Kritikën e ngritur në adresë të Komisionit për një “ekonomi plani”, komisioni e hodhi poshtë. Propozimet janë “pikërisht e kundërta e kësaj”, sepse ato kanë për qëllim të kujdesen për një treg funksionues”, tha komisarja e BE-së për Konkurrencën, Margrethe Vestager.
Komisioni me këtë do të parandalojë edhe një përsëritje të ndërprerjes së rrjetit të furnizimeve. Mbylljet e kufijve, si në Gjermani dhe Francë në fillim të pandemisë së koronavirusit, janë “helm për tregun e brendshëm”, tha Breton. Njëkohësisht Brukseli do të ketë mundësinë të blejë më lehtë për të gjithë BE-në mallra të caktuara në tregun botëror. Një shembull për këtë është blerja e vaksinave ndaj koronavirusit.
Parlamenti dhe vendet anëtare të BE-së duhet ta miratojnë projektligjin
Projektligji duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së dhe vendet anëtare. Breton u shpreh me besim, se ligji i ri mund të hyjë në fuqi vitin e ardhëm pikërisht në 30 vjetorin e ekzistencës së tregut të brendshëm të BE-së./DW