Ben Blushi ka provuar dhe i ka bërë të gjitha. Nga gazetaria në politikë, libra, pastaj sërish në media. Shumëkush beson se suksesin më të madh e ka si shkrimtar.
“Otello, Arapi i Vlorës” është padyshim libri më i lexuar i tij, botuar në disa gjuhë të Europës, së fundmi edhe në kinezçe. Në këto 20 vite Ben Blushin e kemi parë në shumë dimensione; ka bërë beteja, ka bërë paqe, ka nisur luftën nga fillimi, ka goditur, është goditur. Asnjëherë i njëjti, asnjëherë njësoj.
Nuk gjen dot sot një shqiptar që i ka besuar qoftë dhe për një moment politikës që të mos ketë dëgjuar e lexuar me zë të lartë fjalimet e Blushit në Kuvend.
Kritik, rebel, i guximshëm, i pandreqshëm… Bëri shumë për vete, qindra e ndoqën, mijëra e votuan, mijëra të tjerë e deshën dhe i besuan, por ndoshta politika ka të tjera “marifete”, të panjohura atëkohë për një aventurier si Blushi. E megjithë kurbën e ndryshimeve, ai, me apo padashje, edhe kur ka qenë në prapaskenë, i tërhequr në stuhinë tij të mendimeve, ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Tymnajës së politikës dhe sherrnajave mediatike i duhet Blushi. Është ai personazhi që ngjit e shet vazhdimisht. Për mirë apo për keq, nuk ka fare rëndësi.
Si njeri i medias, Blushi duket se e ka kuptuar dhe është pajtuar njëherë e mirë me këtë fakt.Por ka kuptuar edhe se në jetë ka beteja më të rëndësishme, luftra të vërteta, si ajo që po ndodh në Ukrainë. Kthimi i një shteti në mes të Evropës në një vend bombardimesh, zgjoi te Blushi instiktin e gazetarit.
Për 10 orë, Ben Blushi e gjeti veten një fotoreporter lufte.
Ai thotë se në Kiev e ftoi Rama me Abazoviç, por kush e njeh Blushin e di që ai është nga ata guximtarë e provokatorë që do bënte “pakt edhe me djallin” për hir të pasionit të tij. E domosdo, edhe me një ish-mik. 12 orët me tren nga kufiri polak deri në Kiev, duket se ia kanë vlejtur. Blushi ka ditur të befasojë sërish, këtë herë si fotograf.Fotografitë e tij nuk janë thjesht imazhe e shkrepje aparati. Ai luan me emocionet, me përmbajtjen, madje edhe me vetë fatin.
Blushi ndoshta nuk pati kohë të bënte histori në ato 10 orë, por çdo fotografi e tij e ka një histori.Secilës histori i ka veshur edhe pak nga stili i tij, herë thellësisht i thjeshtë e njerëzor, e herë sarkastik e cinik.
Nga një ekstremitet në tjetrin, Blushi krijon një pështjellim ndjesish. Aty mes shkatërrimit dhe rrënojave, ai ia del të krijojë një realitet të ri, hera-herës absurd, çoroditës.
Cili fotograf në botë do i kërkonte një ushtari që sapo i ka shpëtuar bombardimeve, të ulej në një shilarëse e të tundej si fëmijë?!!
Epo Ben Blushi e ka bërë! Sepse për të nuk ka kufij, nuk ka të pamundura, nuk ka as kohë për të rimarrë veten e as një kohë tjetër për të kuptuar se çfarë ndodhi.
Për të, ka vetëm një kohë: Koha për të jetuar!
Në Kiev ti nuk mund ta dish se kur është radha jote. As Ben Blushi nuk mund ta dinte. Aparati i tij ishte e vetmja “armë” mbijetese, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar tmerreve të luftës.
67 fotografitë e tij nga Kievi i bombarduar janë ekspozuar në Tiranë në këtë fillim shtatori që duket si vjeshta para një dimri të madh…/ E.M