Olga, shefja e shoqërimit ukrainas i fshiu Ben Blushit dhjetëra foto të postblloqeve me kryqe hekuri në qendër të Kievit nga frika se mos ato fotografi binin në duart e armikut dhe cënonin sekretin ushtarak. Për Blushin, kjo histori tregon shumë më shumë se 67 fotot që mbijetuan dhe i ekspozoi në COD, por për kritikët e artit dhe fotografisë, këto shkrepje të tij janë befasi më vete.

Fotografi dhe artisti shqiptaro-amerikan Burim Myftiu thotë se Blushi ka prirje të jashtëzakonshme për fotografi.
“Ai sikur është lindur me kamer fotografike. Unë jam i bindur se njerëzit nëse janë të përkushtuar dhe e bëjnë mirë një punë, ata mund të bëjnë edhe disa punë të tjera mirë, me po aq përkushtim. Beni është një nga ata. “Dita duket nga mëngjesi” thonë. Edhe Beni, edhe pse ka vetëm pak kohë që është thelluar në artin fotografik, ai me çdo shkrepje krijon imazhe unike, siç vetëm një artist mund ta bëjë. Imazhet që ai krijon, kanë një dimension të freskët, të sinqertë. Imagjinata e tij fotografike është e padjallëzuar si rezultat i higjienës vizuale”, thotë ai.

Fakti që Blushi po eksploron për herë të parë zhanrin e fotografisë, i jep tjetër shije kësaj ekspozite. “Aq më mirë që sapo ka filluar të ecë në botën e imazheve dhe nuk i ka mësuar trikat e stërpërdorura nga ujqërit e kësaj pune. Prandaj edhe fotografitë që ai krijon, janë të dëlira dhe pa hile”.

Për Burim Myftiun, Ben Blushi është dëshmia e lindjes së një fotografi. “Në bisedë e sipër me një mik nga Tirana kuptova se “Beni filloi të merret me fotografi”, dhe rastësisht u bëra dëshmitar i një fiziologjie metamorfike të “lindjes së një fotografi”, jo të rëndomtë, por të apasionuar dhe të pakompromis”, thotë ai.

Fotografi Gent Shkullaku është veçanërisht i mbresuar nga portretet e Blushit. “Fakti që Blushi nuk është një fotograf profesionist e bën ekspozitën mjaft interesante. Këndi dhe momentet e kapura në 10 orët e vizites janë të vecanta dhe në pergjithesi të pahasura në fotot që jemi mesuar të shohim çdo ditë nga fotoreporterët profesionistë që ndodhen në Ukrainë. Më pëlqyen në mënyre të veçantë portretet dhe do t’i rekomandoja Benit të vazhdonte e të thellohej në këtë zhanër. Jam shumë kurioz per fotot që i fshinë nga aparati në fund të vizitës”, tregon Shkullaku.

Fotot e fshira nuk do i shohim kurrë, por fytyra e Zelenskyt, mbuluar nga një mori ndjesish e shprehish, është këndi ku ndalojnë gjatë të gjithë vizitorët. Për aktorin Timo Flloko, ekspozita e Ben Blushit është shumë e veçantë dhe jashtëzakonisht e realizuar, në të gjitha parametrat e vet teknikë e profesionalë. “E ka fotografuar Presidentin Zelensky në një moment tejet njerëzor. Ka një trishtim në fytyrën e tij që shpreh dramën e popullit të tij. Këto fotografi në tërësi janë spontane dhe këtu është edhe bukuria e tyre. Nuk është menduar nga Beni, se si shkrimtar është i afirmuar, që ka edhe këtë ndjesi dhe talent si fotograf”.

Kohët e fundit Ben Blushi ka vendosur t’i flasë publikut përmes forcës së tij shkruese dhe fotografuese. Me një aparat të përdorur Nikon varur në qafë, atë mund ta ndeshësh kudo nëpër rrugë, në kërkim të një personazhi e imazhi të vërtetë.