Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) për herë të parë organizoi një mbrëmje “Artist Talk”, me praninë e Ben Blushit, kësaj here jo si politikan, as si shkrimtar, por në pozitat e artistit-fotograf, të cilit i duhet t’i shpjegojë audiencës “Ukrainën në 10 orë”. Në takim ishin të pranishëm artistë të artit pamor, si piktori e drejtori i GAT, Abaz Hado, profesori i fotografisë, Albes Fusha, të apasionuar të fotografisë, gazetarë por edhe gjimnazistë kuriozë për të zbuluar botën përmes fotografisë.
Duke rrëfyer “Ukrainën e tij”, Blushi tha se ky pasion i ri, nuk do të shuhet me këtë ekspozitë. Ai tha se është duke përgatitur një tjetër vepër e cila bën bashkë shkrimin dhe fotografinë. Bëhet fjalë për një libër i cili pritet të shohë dritën e botimit në fillim të muajit nëntor. Ky libër-album do të ketë portrete personazhesh të qëndisura nga pena dhe aparati fotografik i Blushit.
I pyetur nga drejtoresha e COD, njëkohësisht kuratore e ekspozitës, Eridana Çano, Blushi e pranoi si njëri nga personazhet e librit të ri do të jetë presidenti ukrainas, Zelensky. Portreti i Zelensky-t është një nga fotot më goditëse të ekspozitës në COD. Tashmë mbetet të zbulojmë historinë që Blushi do i bashkangjisë kësaj fotografie dhe dhjetra personazheve të tjerë që do të jenë në librin e ardhshëm. “Ukraina në 10 orë” përmban 67 fotografi, nga një vend i tjetërsuar vizualisht, siç tregon zgjidhja kuratoriale e Eridana Çanos, ne pjesën e parë të ekspozitës. Ndërsa në brendësi shohim shpirtin njerëzor, që nuk e braktis shpresën dhe lidhet fort pas jetës.