Nga Jakin Marena

Kreu i shumicës së Partisë Demokratike Sali Berisha s’është në pozitë komode për të negociiuar apo bërë ‘pazar’ me Ilir Metën, në lidhje me krijimin e një koalicioni të mundshëm opozitar. Ndonëse ka një presion të vazhdueshëm nga kreu i Partisë së Lirisë për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit të ardhshëm, një kërkesë e tillë ka ardhur dhe nga aleatët traditcionalë të PD, kreu demokrat deri më tani i është shmangur uljes në një tryezë të përbashkët opozitare, për të diskutuar dhe vendosur për këtë çështje. Berisha e di fort mirë se PD është në pozicionin më të dobët politik që nga viti 1991, dhe ulja e këtyre kuotave ka ardhur edhe për shkak të rikthimit të tij në krye të kësaj partie, plot 9 vite pas dorëheqjes nga posti i kryetarit. Për hallin e tij personal, duke parë që dhe “biri” i tij politik Lulzim Basha i dha një të ‘shtyrë’ pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA familjarisht, duke e përjashtuar nga grupi parlamentar e më pas dhe nga partia, Berisha reagoi në mënyrë të dhunshme duke marrë nën zotërim ‘pronën’ e tij, Partinë Demokratike. Një proces që kaloi nëpër stacione të ashpra debati e akuzash përmes foltoreve në të gjitha rrethet e vendit, ku artikulimi politik kundër Bashës ishte tepër i ashpër deri dhe në akuza për lidhje me krimin, trafikun e drogës dhe financimin e lobimit në SHBA në para ruse, dhe për të mbërritur në “preludin’ e sjelljes së dhunshme sikurse di fort mirë të bëjë Berisha, atë të 8 janarit. Më 8 janar të këtij viti, Berisha i ‘armatosur’ me qysqi dhe varre, sulmoi selinë e PD buzë Lanës, ku ishte ngujuar Lulzim Basha, që qëndronte prapa dyerve të blinduara të selisë dhe “pomponte” dhe gaz lotsjellës ndaj turmës sulmuese, dhe vetëm ndërhyrja e policisë e shpëtoi ish kreun e PD dhe mbështetësit e tij pa u tërhequr zvarrë nëpër koridore e oborrin e selisë nga turmat e tërbuara që mbështesnin Berishën.

“Nokauti” i parë për Lulzim Bashën ndodhi më 6 mars, në zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor, ku Berisha bashkoi forcat me partinë e ish Presidentit Ilir Meta, dhe nën logon e LSI dhe të “mbështjella” nga emërtimi i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, arriti ta nxirrte PD-në e Bashës në vend të tretë në renditjen e partive sipas rezultatit. Berisha mori dhe bashkinë e Shkodrës, një bastion i kahershëm i demokratëve në këto 31 vite. Ndonëse fitoi mbi Bashën, që më pas e përzuri dhe nga drejtimi i PD e realisht dhe nga partia, duke e lënë thjeshtë një deputet e pa mbështetje, sërish Berisha bashkë me Metën, që tashmë kryeson Partinë e Lirisë, nuk arrijnë votat e domosdoshme për të mundur Edi Ramën dhe PS në zgjedhjet vendore dhe për të “shtruar” rrugën e ardhjes në pushtet me parlamentaret e vitit 2025. Megjithëse Basha mori “nokautin” e dytë dhe ndoshta përfundimtar që i ndërpret dhe rrugën e rikthimit në krye të PD-së zyrtare në rastin e një vendimi të Apelit pro ankimimit të Alibeajt që rimerr vulën dhe logon e partisë, sepse rikthimi dhe njëherë i çështjes së hetimit të lobimit me para ruse në SHBA e penalizon pa kthim ish kreun demokrat, Sali Berisha e ka të pamundur mobilizimin e demokratëve për të marrë një rezultat konkurrues në zgjedhjet e përgjithshme vendore që zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm. Duke i prerë në këtë mënyrë rrugën përfundimisht opozitës që të jetë një alternativë për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2025. Pasi numrat e zgjedhjeve të fundit, por dhe rezultatet e të gjitha sondazheve të organizuara, tregojnë se PS nuk ka lëvizur nga “blloku” i saj i votave që arrijnë mbi 800 mijë, të mjaftueshme për të marrë shumicën e bashkive më 2023 dhe fitoren për një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit 2025. Ndonëse Berisha rierdhi në krye të PD me premtimin e bashkimit të kësaj partie, e vërteta e hidhur është se demokratët janë të ndarë në tre pjesë. Të dëshpëruar për të ardhur në pushtet, edhe ata që e kanë mbështetur Berishën derisa dëboi Bashën, po binden dita ditës se mbështetja për liderin historik, vërtet kënaq anën sentimentale të besnikërisë ndaj Doktorit apo dhe inatin kundër Bashës, por nuk mjafton për të mundur Edi Ramën.

Me një Berishë ‘non grata’ të shpallur nga SHBA e Britania e Madhe, dhe të padëshiruar nga vendet anëtare të BE, madje dhe nga formacioni i djathtë politik europian, PPE-të, demokratët e kanë kuptuar më në fund se kjo parti e drejtuar nga lideri historik izoluar totalisht nga përfaqësuesit e vendeve partnere, e thonë me zë të lartë këtë, e tha dhe ambasadorja e SHBA Yuri Kim për të disatën herë një natë më parë, pra PD do të vijojë gjatë të qëndrojë në opozitë. Eshtë më se e kuptueshme që të kërkojnë rrugë të tjera për të pretenduar të jenë pjesë e pushtetit. Në pamundësi për të hyrë në koridoret e pushtetit me Berishën, që është i ‘djegur’ nga partnerët tanë politikisht, me një Bashë të “fikur” përfundimisht, sidomos pas rihapjes së hetimit për lobimin rus në SHBA, mbështetësit e opozitës kanë filluar të orientohen drejt një “qendre” tjetër “rëndese”.

Deri më tani nuk e kanë shfaqur publikisht një opsion të tillë, por po të hedhësh një sy nga historia e PD gjatë tërë këtyre viteve, bie në sy fakti se pas humbjes së PD në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, pas qëndrimit për 8 vite në qeverisje, pati një “dyndje” drejt selisë së LSI, madje dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të atëhershëm, për t’u regjistruar në listat e anëtarësisë së partisë së Metës që kishte lënë Berishën dhe ishte në koalicion me Ramën, një lëvizje kjo e tyre për të ruajtur vendet e punës ose për të përfituar vende të reja pune. Madje “gërryerja” e PD kishte filluar që gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2013, kur Ilir Meta shënoi një rezultat të paimagjinueshëm, duke marrë plot 16 deputetë. Pa llogaritur kalimet më pas, për përfitime nga pushteti. Kaluan në mbështetje për LSI thjeshtë dhe vetëm për arsye se kjo parti ofronte vende pune, si parti klienteliste që nga krijimi e deri në shkrirjen e saj. E njëjta gjë ndodhi dhe në zgjedhjet e vitit 2017, ku PD e Bashës, pas mbylljes së “çadrës së lirisë” përballë kryeministrisë, hyri në marrëveshje me Edi Ramën, pra bëri paktin e 17 majit, duke ndarë qeverisjen me socialistët përmes ministrave dhe drejtorëve teknikë, dhe duke marrë pjesën e “luanit” në qeverisje. Pikërisht institucionet që kishin lekë. Kjo u shfrytëzua nga Meta, i cili mblodhi të gjithë të pakënaqurit me këtë “tradhëti” të Bashës, por dhe duke lënë pezull një aleancë të mundshme paszgjedhore me PS për bashkëqeverisje që u shua pasi Rama mori 74 mandate, çka përfitoi dhe pjesën tjetër të “gjuetarëve” të posteve apo punësimeve në shtet, dhe rezultati i LSI ishte surprizues: Plot 19 deputetë mori në zgjedhjet e 2017. Plus një deputet të gatshëm më pas.

Ndonëse në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, Lulzim Basha nuk bëri aleancë parazgjedhore me kandidatë të përbashkët me LSI-në e Kryemadhit, pas të cilës qëndronte Meta, duke e katandisur këtë parti në 4 deputetë dhe duke marrë sërish votat e PD të “gërryera” ndër vite nga LSI, tashmë që demokratët nuk shohin shpresë tek PD të drejtuar nga Berisha “non grata”, nuk e përjashtojnë mundësinë e animit sërish nga Partia e Lirisë së Metës. Janë një sërë faktorësh që mund të sjellin një lëvizje të tillë, duke filluar nga fakti që Ilir Meta është një “gjuetar” postesh dhe pushteti e deri tek zhvillimet e fundit, ku evidentohet vajtja e ambasadores së SHBA Yuri Kim në zyrën e kreut të PL, takimi me të për dy orë dhe deklaratat që kanë ardhur më pas. Pra, demokratët bëjnë një llogari të thjeshtë: Më mirë të mbështesin pa rezerva një lider të pashpresë, të konsumuar politikisht në Shqipëri, por dhe ndërkombëtarisht dhe në pleqërinë e thellë, apo një lider të cilin ndonëse e dinë se nuk i sjellë në pushtet as ai, por që e quajnë me kutin e tyre, të “rehabilituar” nga SHBA dhe partnerët e tjerë, më të ri dhe më aktiv. Për më tepër dhe fakti që Partia e Lirisë, e ngritur mbi themelet e LSI, ka “pësuar” një zhvendosje të fortë nga qendra e majtë në qendrën e djathtë, e gatshme për të “ngrënë” mbështetje dhe vota në “parcelën” e PD të drejtuar nga Berisha. E pranon dhe vetë Meta këtë zhvendosje, por dhe politologët dhe analistët e kanë komentuar në mënyrë të vazhdueshme këtë ndryshim. Për këtë arsye ndryshimi i qëndrimit për mbështetësit e PD do të justifikohet me faktin se votat djathtas i dhanë, jo tek e majta! E kanë kollaj! Pikërisht një qasje e tillë ka nuhatur Berisha, si një “dinozaur” i vjetër që është dhe i kap gjërat në “ajër”, duke bërë që ai të ngurrojë të ulet në tryezë me Metën për të formatuar atë që quhet koalicion të ri opozitar me të gjitha partitë kundër PS, koalicion që të sillet rreth polit PD-PL. Të ulet në ‘pazar’ me Metën që e njeh mirë “pazarin” dhe që ka një oreks të jashtëzakoshëm për të qënë kreu i opozitës shqiptare, por dhe për të marrë pjesën e “luanit” në garën për kryetarët e 61 bashkive në vend, nuk i volit liderit demokrat.

Eshtë në kushte të disfavorshme Berisha, i cili për t’i dalë përpara këtij fakti, ka futur ‘primare’t në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie, e për deputetë më 2025. Pra ka vendosur një ‘klon’ ndaj Metës, nën argumentin se “përçahet PD nëse ata me primare zgjedhin një kandidat, ndërkohë që koalicioni mund të dërgojë një kandidat aleat në vend të tij”. Ky është justifikimi formal i Berishës për të mbajtur larg Metën, qoftë dhe me koston e rrudhjes së mëtejshme të mbështetjes nga elektorati i djathtë. I cili është në kërkim të rrugëve të reja për të përfituar nga pushteti. Qoftë dhe duke kaluar “ylberin”. Pasi elektoratin “gri” atë që të jep pushtetin, PD e ka humbur me kohë dhe me vakt, për të marrë goditjen përfundimtare me ardhjen në krye të saj të Berishës, i futur në “karantinë” nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Ndërsa nuk pranon të ulet në tryezën me Metën, për të arritur një akord për koalicionin opozitar, qoftë dhe për të maksimalizuar votën jo për të pretenduar fitoren dhe ardhjen në pushtet, këtë e di dhe vetë ai, Berisha po tenton të dërgojë dhe mesazhe të “koduara” në drejtim të Metës. Dhe zgjodhi pikërisht në ditën kur lideri i PL priti në zyrë në takim ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Pikërisht atë pasdite vonë, Berisha lëshoi një kërcënim në drejtim të Edi Ramës, kur teksa e akuzoi se nuk bën zgjedhje të lira dhe demokratike brenda partisë, e paralajmëroi se sapo të vinte në pushtet, Partinë Socialiste do ta nxirrte jashtë ligjit. Për mungesë demokracie të brendshme, e justifikon Berisha kërcënimin e tij ndaj Ramës dhe socialistëve.

Megjithëse Berisha as në ditët më të mira të tij kur kishte dhe mbështetjen amerikane e të BE pa limit, në qeverisjen e parë themi, e kur PS ishte në hapat e parë të demokratizimit të brendshëm të saj, nuk arriti ta nxirrte jashtë ligjit. Votat ia vodhi me dhunë. Ndërsa sot as që mendohet ta arrijë një gjë të tillë, dhe sikur të vijë në moment në pushtet. Dhe për çfarë, “demokracinë e brendshme në parti”. Këtë paralajmërim e bëri pikërisht Berisha, njeriu që është shpallur “non grata” për minim të demokracisë në Shqipëri. Se në PD po e po, ka “përvëluar”. Ajo që lexohet nga kërcënimi i Berishës për PS, në të vërtetë është një mesazh i “koduar” në drejtim të Ilir Metës, për t’i thënë se në Partinë e Lirisë nuk ka demkokraci, pasi për një ditë u shkri LSI dhe u themelua PL, u vetë-emerua në krye të saj, si dhe emëroi drejtuesit e strukturat e partisë së re po atë pasdite. Dhe për të, një parti e djathtë respekton statutin dhe demokracinë e brendshme, ndonëse për 32 vite as që ka pyetur për asgjë. Kjo është situata në marrëdhëniet mes dy partive më të mëdha opozitare, ku Berisha i trembet shumë një afrimi me Metën, nga frika se mund të “gërryejë” vota nga kampi i djathtë në një dalje të mundshme në koalicion me PL në zgjedhjet vendore. Aq më tepër që thjeshtë në tavolinë, Meta i merr gati gjysmën e kandidatëve për kryetarë bashkie në të gjithë vendin. Pasi ulet në “pazar” në pozita më të forta dhe më komode se Berisha. Ia tha vetë Meta një ditë më parë, se PD(Berisha) duhet të jetë më i interesuari për daljen me kandidatë të përbashkët, se sa PL”. Skema është e qartë për Metën. Dhe për të gjithë dashamirësit e opozitës është e vështirë të gjendet një “formulë” që mund të ulë Berishën me Metën në një tryezë për formatimin e koalicionit opozitar. Duke rrezikuar që opozita të dalë në zgjedhjet e 2023, e ndarë në tre pjesë: PD e Berishës, PD e Aliebajt dhe PL e Metës. Pjesa tjetër nuk kanë histori, janë thjeshtë “makiazhi” i opozitës dhe s’bëjnë pol më vete.