Quhet ‘Big Bang’ shkrepja e fotografit francez Armand Sarlangue, zgjedhur si fituesi i përgjithshëm i Drone Photo Awards 2022, konkursi kushtuar fotografisë ajrore, që është pjesë e Siena Awards, një festival ndërkombëtar i arteve pamore.
Imazhi, shkruhet në një shënim, vjen nga Islanda dhe tregon një çarje dytësore disa qindra metra nga krateri kryesor i vullkanit Fagradalsfjall, i përjetësuar nga lart gjatë fazës së fundit të shpërthimit të shtatorit 2021.
Fotoja fituese, e përzgjedhur nga mijëra imazhe të dërguara nga 2,624 pjesëmarrës nga 116 vende, do të prezantohet në ekspozitën ‘Mbi ne vetëm qielli’, e ngritur në Muzeun e Historisë Natyrore “Accademia dei Fisiocritici” gjatë Çmimeve Siena, të planifikuar nga 1 tetori deri më 20 nëntor.
Çmimet ‘Siena’ do të shfaqin tetë ekspozita fotografike, duke përfshirë tre konkurse kolektiv të festivalit (Siena International Photo Awards, Drone Photo Awards dhe Creative Photo Awards) dhe katër ekspozita solo kushtuar Danish Siddiqui, i vrarë në vitin 2021 në Afganistan gjatë një prej reportazheve të tij, Ami Vitale, fotografe e National Geographic, Dan Winters, ikona e fotografisë ndërkombëtare dhe autor i portreteve më të njohura të personazheve të famshëm të 15 viteve të fundit dhe Peter Mather, anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Fotografëve të Konservimit.