Kryeministri Edi Rama i bëri një bilanc turizmit, duke e quajtur një sezon surprizues në aspektin e të ardhurave në ekonomi.
“Vetëm në 6 mujorin e parë ne kemi kaluar 1 miliard të ardhura në ekonomi nga turizmi, pra pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë në 5.6, 5 milionë e 600 e disa mijë turistë që është e barabartë me faktikisht 1.3 milionë më shumë sesa vitin e kaluar”. Kryeministri shpjegoi kontrastin e turizmit sot me atë në kohën kur Shqipërinë e qeverisnin demokratet. “Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e përgjithshëm në ekonominë e vendit, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar është 17%. Pra, nga 4% në 17%, për të gjithë ata që për një 1001 arsye refuzojnë ta njohin progresin dhe e kanë kujtesën të shkurtër faktikisht. E kanë kujtesën shumë të shkurtër. Kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar dhe për disa vite për hir të se vërtetës, pavarësisht përmirësimeve të qeverisjes sonë që bënim lajm për pisllëkun, që dilnim nëpër mediet e huaja në periudhë vere si një vend pis, i ndotur”. Sfida tha kryeministri është shtimi aksesimit të vendit tonë për turizëm dhe kjo arrihet përmes një disa investimeve.
“Jemi edhe pak javë, në mos pak muaj, është vetëm çështje e përfundimit të procedurave edhe në parlament, na ndajmë nga fillimi i punës për Portin turistik më të madh të Mesdheut, këtu në Durrës. Porti më i madh turistik i Mesdheut, në Durrës dhe natyrisht dihet se çfarë sjellin portet turistike, sjellin përsëri atë kategori turistësh”. Këtë sezon veror nuk ishte vetëm jugu i vendit, epiqendra ku u bë turizmi: “Tirana ka pasur një bum të jashtëzakonshëm turistësh të cilët kanë preferuar Tiranën dhe qëndrimin në Tiranë dhe kjo shihet, jo vetëm nga hotelet të cilat kanë qenë plot e përplot, por edhe nga numri shumë i madh i apartamenteve të marra me qira përmes agjencive dhe në rrugë digjitale”.