Kryeministri britanik në largim, Boris Johnson dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë, si miq kur mandati i kryeministrit të përfundojë, njoftoi sot Downing Street. Udhëheqësit, të cilët kanë qenë aleatë të vendosur gjatë gjithë konfliktit të zhvilluar nga Rusia ndaj fqinjit të saj, zhvilluan sot një bisedë telefonike, një ditë para emërimit zyrtar të kryeministres së re, Truss.
Johnson falënderoi Zelensky për udhëheqjen dhe miqësinë e tij duke shtuar se ishte një privilegj që kishte punuar me të dhe mbështetur vendin e tij. Kryeministri në largim, Johnson ka kryer disa vizita në kryeqytetin ukrainas, më e fundit prej të cilave ishte muajin e kaluar, kur ai ofroi një ndihmë ushtarake prej 54 milionë £ (62.2 milionë dollarë). Zelensky ka folur shpesh për marrëdhënien e tij me Johnson duke e cilesuar ate si mikun dhe aleatin e tij.
Në një postim në Twitter pas njoftimit se Liz Truss kishte fituar garën për udhëheqjen e Partisë Konservatore, Zelensky e përshkroi Johnson si një “mik të madh” dhe e falënderoi atë për “guximin e tij personal”. Johnson më vonë shkroi në Twitter se ai do të qëndronte mik me Zelensky, duke theksuar se Britania e Madhe do të vazhdonte të mbështeste Ukrainën në çdo hap të rrugës.