Ngjarja u regjistrua mesditën e djeshme në lagjen “Dyle Haxhiri”, ku 55- vjeçari Elmas Kaliaj, sulmoi me thikë bashkëshorten e tij 50-vjeçare, Shkëlqime Kaliaj. Ndërsa tentonte të vriste gruan e tij, një fqinj 64-vjeçar i identifikuar si Enver Sula, ka ndërhyrë duke parandaluar konfliktin e mëtejshëm të çiftit, por ka mbetur edhe ai gjithashtu i plagosur. Disa minuta pas ngjarjes së rëndë, forcat e rendit kanë arrestuar autorin e ngjarjes.

ÇFARË THOTË POLICIA

Policia lokale tha se konflikti midis bashkëshortëve ka ndodhur për motive të dobëta dhe se arrestimi i 55- vjeçarit është bërë menjëherë pas ngjarjes së rëndë. “Në lagjen ‘Dyle Haxhiri’, Elbasan, shtetasi E. K., 55 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. K., 50 vjeçe, si dhe fqinjin e tyre, shtetasin E. S., 64 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka ndërhyrë për të ndaluar shtetasin E. K.

Të dy të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit të menjëhershëm nga ana e Policisë është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. K., në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, sqaroi Policia. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

KËRCËNIMI

Sipas fqinjëve të çiftit, 55- vjeçari në momentin e arrestimit nga ana e forcave të Policisë, ka bërtitur “do t’i vrasë të gjithë”. Nëna e 55- vjeçarit ka deklaruar se i biri vuan nga probleme të shëndetit mendor prej dy vitesh dhe se ai mjekohej për këtë arsye, por kohët e fundit kishte ndërprerë marrjen e medikamenteve.

Ajo rrëfeu se i biri ishte në gjendje të mirë kur pinte ilaçet, por kohët e fundit kishte refuzuar t’i merrte. E moshuara shtoi se, Elmas Kaliaj dhe e shoqja Shkëlqime Kaliaj, nuk kanë pasur sherre e zënka. “Donte ta therte, bam-bum, s’mund ta mbanim. Djali kishte kaluar, kishte nja 1-2 muaj pa i pirë ilaçet. Kur i pinte ilaçet ishte mirë, por nuk donte t’i pinte më. Thoshte jam mirë, nuk dua t’i pi. Donte të therte nusen, se ashtu ia dha truri. S’kanë pasur sherre, e zënka. Fëmijët s’dinë gjë, janë në punë”, tha ajo.

“ISHTE ME KARTELË”, ÇFARË THONË FQINJËT

Fqinjët e çiftit në Elbasan thanë se burri shfaqte shenja depresioni veçanërisht kohët e fundit. Sipas tyre, Elmas Kaliaj kishte ndërprerë ilaçet, me të cilat kurohej prej rreth dy vitesh. “Kurohej prej dy vjetësh. Prej ca ditësh i ka lënë ilaçet. Kaloi këtu ku unë kam ca pula dhe dal e shikoj dhe më tha 4-5 herë ‘mirëmëngjesi’. Një llaf e thoshte 10 herë. I thashë gruas ia keni hequr ilaçet.

Jo, tha ajo me inat. Për ne nuk ishte problematik, për familjen nuk e di. Ka nja dy vjet që është me ilaçe, është me kartelë”, tha njëri prej fqinjëve. Një tjetër tha se kishte dëgjuar të bërtiturat në lagje dhe se burri në momentin që po arrestohej nga Policia, kishte kërcënuar me vrasje. “Dëgjova komshien këtu që ulëriu. Pastaj shkova te Policia që kishte ardhur këtu, ai ulërinte, do t’i vras të gjithë për një pëllëmbë tokë. Çfarë bën mo djalë i thashë”, tha ajo