Shqipëria do të luajë me një skemë të re në sfidën me Izraelin, në transfertë, e kushtëzuar nga mungesat por edhe nga mënyra sesi luan kundërshtari. Sokol Cikalleshi, në një intervistë të shkurtër nga “Bloomfield Stadium” ka komentuar këtë ndryshim te kuqezinjtë, por edhe përvojën e re që ka nisur në Arabinë Saudite. Sipas sulmuesit kavajas, sfida e radhës është ndër më të rëndësishme për Kombëtaren.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, një nga më të rëndësishmet për mendimin tim, sepse na dërgon diku tjetër, mundtë tentojmë vendim e parë dhe më pas play off-in. Kemi përballë Izraelin një ekip që na ka vënë në vështirësi, por edhe e kemi i mundur. Do të jetë një dueI i pritur nga të gjithë.”

Ndryshimi i skemës: “Ne jemi gati, sidomos nga ana taktike. Trajneri ka provuar një skemë të re, shpresojmë që të gjithë të bëjmë detyrat në fushë dhe të mos përsëritim gabimet e ndeshjes së kaluar. Kjo skemë (me dy sulmues dhe me Bajramin pas) të jep mundësi të jesh në zonë më të shumë në numër, por duhet pasur kujdes në mbrojtje sepse të lë pak zbuluar në krahët e mbrojtjes. Edhe sulmuesit janë të detyruar të kujdesen për këtë pjesë që krahët e mbrojtjes të mos dalin shumë ofensivë. Nuk kemi pasur shumë kohë, trajneri është mundur që të punojë maksimalisht. Mbetet për ta parë në fushë. Në radhë të parë nuk duhet të pësojmë dhe më pas të tentojmë fitoren.”

Transferimi në Arabi në Saudite: “Është një aventurë e re (Khaleej Football Club), kampionat i ri, po ashtu edhe jetesa. Gjërat në përgjithësi janë mirë, po luaj, shpresoj të gjej rrugën e rrjetës dhe ta ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave. Kisha shtatë vite në Turqi, ndihesha mirë atje, por në këtë moment mund të tentoja një përvojë të ri. Jam në huazim për një vit, nëse gjithçka do të shkojë si duhet, do të vazhdoj, nëse jo, do të jem sërish pjesë e Konyasporit, sepse kam kontratë dyvjeçare atje.”