Andre Onana ishte supriza e mbrëmjes së djeshme te Interi, ku zikaltërit u mposhtën ndaj Bajernit të Mynihut, me rezultatin 0-2 në stadiumin “Giuseppe Meazza”, e vlefshme për sfidën e parë të fazës së grupeve në Champions.

Portieri kamerunas fitoi vendin e titullarit ndaj kapitenit, Samir Handanoviç duke u aktivizuar për herë të parë si titullar me fanellën zikaltër. Pas ndeshjes, 26-vjeçari në mikrofonat e “Inter TV”, u shpreh i lumtur për debutimin dhe theksoi se skuadrës u mungoi vetëm goli:

Humbja ndaj Bajernit të Mynihut – “Ishte një ndeshje e vështirë. Përballë kishim një ekip të madh dhe gjëja e vetme që na mungoi ishte vetëm goli. Me siguri në sfidat e ardhshme goli do të vijë.”

Debutimi me Interin – “Kur një futbollist debuton është gjithmonë i lumtur, por por përballë kemi një humbje dhe është një moment delikat. E rëndësishme tani është fitoja e skuadrës, shpresoj që të vijnë në duelet e ardhshme.”

Ndeshja ndaj Torinos – “Na pret një sfidë e vështirë, sepse ne luajmë me Interin dhe të gjithë kundërshtarët japin maksimumin kundër nesh. I ndjek këshillat e trajnerit Inzagi dhe kërkojmë që t’i përgjigjemi mirë në fushë direktivat e tij, do të provojmë të fitojmë kundër të gjithëve.”, përfundoi Andre Onana.