Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se të gjitha minat janë hequr ose neutralizuar nga ujërat ndërkombëtare të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa paralajmëroi Iranin se çdo përpjekje për vendosjen e minave të reja do të përballet me një përgjigje të menjëhershme ushtarake.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Marina Amerikane e kishte informuar se operacioni për çminimin e ngushticës kishte përfunduar.

“Të gjitha minat janë hequr dhe/ose neutralizuar nga ujërat ndërkombëtare të Ngushticës së Hormuzit”, shkroi presidenti amerikan.

Trump shtoi se Irani është paralajmëruar se çdo anije ose mjet lundrues që tenton të vendosë mina të reja do të shkatërrohet.

“Irani është informuar se çdo anije ose mjet lundrues që vendos mina të reja do të shkatërrohet menjëherë dhe sistematikisht”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se ndaj çdo përpjekjeje për vendosjen e minave të reja në ngushticë është vendosur një “politikë zero tolerance”.

Në të njëjtin postim, Trump tha se Shtetet e Bashkuara po përdorin kapacitetet e Forcës Hapësinore Amerikane për të monitoruar vazhdimisht rajonin.

“Përmes Forcës Hapësinore, ne monitorojmë çdo centimetër katror të Ngushticës”, shkroi ai.

Trump e lidhi monitorimin e Ngushticës së Hormuzit edhe me zonën e Malit Pickaxe dhe me tre objektet e tjera bërthamore që, sipas tij, janë shkatërruar.